E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama, korrupsion me lejet”

Kryeministri Sali Berisha i bëri dje thirrje kreut të Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kundërshtari i tij politik, Edi Rama, të ndalë praktikat korruptive për sa i përket dhënies së lejeve të ndërtimit. 

ADI SHKEMBI

Duke folur në një konferencë për shtyp lidhur me një raport të fundit të Bankës Botërore për mundësitë për të bërë biznes, kreu i qeverisë u shpreh se Shkodra dhe Vlora renditen më mirë se Tirana për sa i përket procedurave të lejeve të ndërtimit, ndërkohë që për Tiranën, ku sipas tij është edhe “tava e 10%”, është ndër më të prapambeturat në këtë rajon. “Në rast se Shkodra dhe Vlora bëjnë që Shqipëria, po të ishte e tëra si ato, të renditej e 9 në botë për lehtësirat për regjistrimin e biznesit, Tirana me vështirësitë dhe korrupsionin e Bashkisë renditet e 12 në rajon, pra 12 herë mbas Shkodrës e Vlorës, dhe shtyn mbrapa vendin në renditjen botërore. Po në këtë studim rezulton se Shkodra renditet për dhënien e licencave e 7-ta në rajon, Tirana është dhjetë herë më e ulët, është e 17-ta. Gjendja në Bashkinë e Tiranës, sipas studimit të Doing Business, është katastrofale kur vjen puna te lejet e ndërtimit apo tava e 10%”, theksoi Kryeministri Berisha. “Prandaj i bëj thirrje kryetarit me korrespondencë të Bashkisë, të largojë goditjet e tij helmuese, praktikat ultra korruptive ndaj biznesit dhe të marrë masa urgjente për ndryshimin rrënjësor të saj”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Sipas Berishës, në këto tre vite, të cilat ai i quajti revolucion fiskal, janë ulur nga 3.1% në 1.5 % taksa e biznesit të vogël, është ulur me 130% tatimi mbi të ardhurat personale, nga 23% në 10%, tatimi mbi fitimin nga 25% në 10%, dhe nga 1 janari 2009 me 50% taksën e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, sipas kreut të qeverisë është ulur nga 6% në 1%, pra 600% taksa doganore. “Sot ekonomia e vendit tonë është më e zhvilluar, më e fortë se kurrë. Sot Shqipëria ka rritjen e eksporteve ‘Made in Albania’ me 43% krahasuar vetëm me vitin e kaluar, ka rritjen me mbi 40% të vëllimit të ndërtimit, me rreth 30% të prodhimit industrial, me rreth 50% të turizmit, krahasuar me vitin e kaluar, ka rritje dyshifrore të prodhimit bujqësor dhe transporteve. Gjashtëmujorin e parë të këtij viti u regjistruan në Shqipëri 13.063 biznese të reja, kundrejt 6600 biznese të reja që u regjistruan vitin e kaluar”, vijoi më tej Berisha. Kreditimi bankar për ekonominë në Shqipëri tre vjet më parë, sipas kreut të qeverisë, ishte 11% e GDP-së dhe tani është 35%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›