E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregti me bizhuteri false, pranga pesë rumunëve

18/01/2009  Dyshohet se bizhuteritë false hynin nga Qafëthana. Shiteshin në Fier, Lushnjë e qytete të tjera

TIRANE- Pesë shtetas rumunë janë arrestuar nga strukturat e krimit ekonomik, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar tregtarë të ndryshëm në rrethet Fier, Berat, Lushnjë dhe Kavajë, duke u shitur bizhuteri floriri të falsifikuara. Konstatimi i këtij krimi fillimisht është “nuhatur” nga vetë tregtarët që blinin mallin në pesë shtetasit rumunë, të cilët aktivitetin e tyre kriminal e kishin shtrirë në katër qytetet e mësipërme, ku më pas destinacioni i tyre për të kryer biznes ishte Tirana. Pakënaqësitë e masës së blerësve lidhur me floririn e falsifikuar i kanë shtyrë disa prej tyre të bëjnë kallëzim në organet e drejtësisë. Këto të fundit kanë marrë masat menjëherë dhe për rreth një muaj hetime kanë mundur të dokumentojnë tërësisht biznesin e paligjshëm të bandës rumune. Dyshohet se gjatë kësaj kohe të arrestuarit kanë futur nga dogana e Qafëthanës sasi të konsiderueshme floriri, që në shumicën e rasteve ka rezultuar fals. Për transportimin e mallit te klientët pesë rumunët kishin dy makina me targa të huaja.

Operacioni

Për parandalimin dhe shtrirjen e mëtejshme të këtij krimi zyra kundër krimit ekonomik pranë policisë së Tiranës dhe njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së kryeqytetit organizuan operacionin e koduar “Bizhuteritë false”. Sipas policisë, në pranga përfunduan shtetasit rumunë Ion Miklesku, 31 vjeç, Nemes Miklesku, 35 vjeç, Droges Miklesku, 26 vjeç, Jonel Gunici, 23 vjeç, Fondort Tiunuklesku, 42 vjeç. Ndalimi i tyre është bërë nga efektivët e komisariatit të qytetit të Kavajës. Arrestimi është bërë në kushtet e flagrancës, ku 5 rumunët ishin duke tregtuar bizhuteritë e ndryshme të falsifikuara. Burimet thanë se të ndalurit nuk bënë asnjë rezistencë ndaj policisë. Ndërkohë gjatë zhvillimit të operacionit uniformat blu të policisë së Kavajës sekuestruan në cilësinë e provës materiale 68 unaza të madhësive dhe formave të ndryshme, 10 varse të formave të ndryshme të ngjashme si varëse floriri, një kartë krediti, e cila dyshohet e klonuar, dy automjete dhe 5 telefona celularë. Rumunët synonin që këto bizhuteri false t’ua shitnin tregtarëve me çmimin e mesatar në treg të bizhuterive prej floriri. Nën drejtimin e prokurorëve të njësisë hetimore Task-Forcë, e cila ka regjistruar procedimin penal ndaj 5 rumunëve, është organizuar në 5 komisariate të vendit puna për vëzhgimin e fotografimin në terren të rumunëve dhe mbledhja e provave për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal. Nga përgjimet e bëra si dhe nga informacionet operative rezulton se banda e rumunëve kishte disa javë që operonte në qytetet e Shqipërisë. Së fundi ata ishin vendosur në qytetin e Kavajës dhe kishin destinacion tregun e kryeqytetit shqiptar, Tiranën. Burimet thanë se mbrapa 5 rumunëve dyshohet se ka edhe shtetas shqiptarët, emrat e të cilëve mund të identifikohen në ditët në vazhdim. Ndërkaq për të ndaluarit prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën përkatëse, e cila është “mashtrimi në formën e bashkëpunimit”.

Nemes Miclescu, 36 vjeç, me shtetësi e kombësi rumune. Akuzohet nga prokuroria e Tiranës për veprën penale të “mashtrimit në bashkëpunim”. Ai është bashkëpunëtor i tregtimit të bizhuterive të falsifikuara në qytetet Fier, Lushnjë, Berat dhe Kavajë.

Donel Gunici, 24 vjeç, me shtetësi e kombësi rumune. Akuzohet nga prokuroria e Tiranës për veprën penale të “mashtrimit në bashkëpunim”. Ai është bashkëpunëtor i tregtimit të bizhuterive të falsifikuara në qytetet Fier, Lushnjë, Berat dhe Kavajë.

Dragos Miclescu, 25 vjeç, me shtetësi e kombësi rumune. Akuzohet nga prokuroria e Tiranës për veprën penale të “mashtrimit në bashkëpunim”. Ai është bashkëpunëtor i tregtimit të bizhuterive të falsifikuara në qytetet Fier, Lushnjë, Berat dhe Kavajë.

Fondor Tinceulescu, 43 vjeç, me shtetësi e kombësi rumune. Akuzohet nga prokuroria e Tiranës për veprën penale të “mashtrimit në bashkëpunim”. Ai është bashkëpunëtor i tregtimit të bizhuterive të falsifikuara në qytetet Fier, Lushnjë, Berat dhe Kavajë.

Operacioni i koduar “Ora e florinjtë”

Sekuestroi 110 kg flori dhe kapi vëllezërit Lamçe

TIRANE- Pak kohë më parë dy vëllezër u arrestuan nga drejtoria e antikrimit ekonomik në policinë e Tiranës me një sasi të madhe floriri. Sasia prej 110 kg është më e madhja që policia shqiptare ka sekuestruar ndonjëherë gjatë zhvillimit të aksioneve të saj. Gjatë aksionit të koduar “Ora e florinjtë” në pranga përfunduan dy vëllezërit Astrit Lamçe dhe Genci Lamçe. Aktiviteti i vëllezërve Lamçe shtrihej në kryeqytetet përmes banesës së tyre, e cila shërbente për punishte të kontrabandës së floririt. Superoperacioni është zhvilluar më 23 shtator të vitit të kaluar nga antikrimi ekonomik, i cila ka bërë të mundur ndalimin e 110 kg ar, 2 copë shufra floriri me peshë 1 kg secila, 210 mijë euro, 1 milion e 500 mijë lekë, 500 dollarë si dhe shumë ambalazhe dhe etiketa të firmave të njohura. Nga përllogaritja e floririt të sekuestruar rezultoi se kapte vlerën financiare afro 1 milion euro. Ari është kapur në një punishte pranë Gardës së Republikës në rrugën “Vaso Pasha”, ku policia pas një hetimi 3-mujor ka sekuestruar floririn në formë shufrash dhe bizhuterish. Policia vërtetoi se ka dokumentuar se aktiviteti i vëllezërve Lamçe është kriminal dhe kontrabandë. Për sjelljen e mallit në Shqipëri dy vëllezërit Lamçe korruptonin punonjësit e aeroportit të Rinasit, të cilët, pasi merrnin hisen e tyre, lejonin kalimin e kontrabandë të mallit me vlerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›