E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrohet banda me 15 shqiptarë dhe 3 Italianë

18/01/2009  Trafikuan 90 kg heroinë

BOLONJË- Një bandë shqiptare që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës është goditur nga autoritetet italiane në Bolonjë. Mediet italiane raportojnë se në pranga kanë përfunduar 18 anëtarë të bandës, pjesa më e madhe shqiptarë, ndërsa 3 ishin shtetas italianë. Autoritetet italiane ende nuk kanë zbuluar emrat e të arrestuarve, ndërsa shtojnë se banda ishte në gjendje të importonte sasi të mëdha heroine të cilësisë më të mirë nga Shqipëria drejt Italisë. Ato nuk tregojnë me detaje skemën e trafikimit të heroinës, por thonë se lënda narkotike transportohej në Itali nëpërmjet portit të Durrësit dhe në shumicën e rasteve nga Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia dhe më pas në Itali. Hetimet kanë filluar në gusht të vitit të kaluar dhe koordinoheshin nga prokurorët e prokurorisë së Bolonjës Elizabeta Meloti e Lorenco Gestri. Gjatë operacioneve për shkatërrimin e kësaj bande u konfiskuan 90 kg heroinë. Sipas hetuesve italianë, banda furnizohej nga grosistët që ndodheshin të vendosur në La Spezia dhe më pas shpërndanin drogën në Modena dhe Ferrara. Sipas hetuesve, në një xhiro ata arrinin të siguronin 20-40 kg drogë njëherësh. Aktualisht po vazhdojnë hetimet për arrestimin e personave të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›