E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tan Kateshi kërkon liri me kusht

18/01/2009  Trupi gjykues vendos që kwrkesa e të fortit të Elbasanit të pushohet

Gjykata e Tiranës publikon 120 kërkesat e të dënuarve për lirime me kusht

TIRANË - Edhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm për kryerjen e disa veprave penale në vitin 1997, Dritan Kateshi ka marr guximin dhe i është drejtuar gjykatës. Lirim para kohe me kusht - ky është objekti i kërkesës së bërë nga i dënuari me burgim të përjetshëm në gjykatën e Tiranës, edhe pse nuk e gëzon një të drejtë të tillë. Tan Kateshi, i njohur për bëmat e tij në qytetin e Elbasanit, për të kërkuar lirimin me kusht, kërkesë që është rrëzuar, duket se ka marr zemër nga disa libra me vjersha që ka botuar brenda në qeli. Ndërsa në kërkesë ka shënuar edhe një tjetër fakt: sjelljen e mirë në burg. Një karakteristik e siguruar nga juristët, por pa vlerë për gjykatën. Kërkesa e tij, e depozituar në gjykatën e Tiranë, është hedhur poshtë. Veç emrit të Dritan Kateshit në listën e gjatë të gjykatës, aty ku janë statistikat, ndodhen edhe 119 të dënuar të tjerë që vitin e kaluar kërkuan lirim me kusht. Por gjykata ka qenë shumë e ngurtë në pranimin e këtyre kërkesave. Vetëm një pjesë e vogël ka përfituar nga ky objekt i parashikuar në ligj. Përveç amnistisë së miratuar në Kuvend dhe faljeve që jepen çdo vit nga Presidenti, të dënuarit kanë edhe një shans tjetër për të lënë dhomat e tyre të ftohta të burgut, falë vendimeve të gjykatave për lirimet para kohe me kusht. Çdokush ka të drejtë të depozitojë në gjykatë një kërkesë, nëpërmjet së cilës kërkon të lihet i lirë me kusht. Përkundrejt kërkesës i dënuari përcakton edhe disa kritere, të cilat i quan të domosdoshme dhe të arrira nga ana e tij. Ndërmjet kritereve me shumë rëndësi dhe që është e paracaktuar në ligj është fakti se për të paraqitur një kërkesë për lirim para kohe me kusht duhet të kesh kryer të paktën 2/3 e masës së dënimit të marrë në gjykatë. Të drejtën për të kërkuar lirim me kusht nuk e kanë personat e dënuar me burgim të përjetshëm dhe ata që janë përsëritës në një vepër penale. Ndërkohë të gjithë të pandehurit e tjerë për të paraqitur një kërkesë të tillë më parë duhet të marrin një karakteristikë nga organet drejtuese të institucionit të vuajtjes së dënimit. Në lojë futet edhe juristi i burgjeve. Nga statistikat bëhet e ditur se për vitin që kaloi vetëm 12 persona kanë fituar të drejtën e lirimit para kohe me kusht. Një tjetër kusht i caktuar me ligj dhe që mbahet parasysh nga gjyqësori është edhe fakti që me fitimin e lirisë nga zbatimi i ligjit personi nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale për një afat të caktuar kohor. Ky afat përcaktohet nga gjykata menjëherë pas dhënies së vendimit për ta lënë të lirë. Përveç kritereve të sipërpërmendura i dënuari duhet të ketë siguruar edhe një karakteristik nga burgu, ku të shënohet sjellja e mirë e tij për atë periudhë që ka qenë i izoluar nga pjesa tjetër. Në rast se i dënuari do ta fitojë lirinë nga gjykata, ai duhet të respektojë vendimin, duke mos kryer asnjë vepër penale, në të kundërt do të rikthehet përsëri në burg për të vuajtur pjesën e mbetur si dhe masën e dënimit për veprën e kryer. Një pjesë e mirë e të dënuarve që kërkojnë lirim me kusht mbeten të pakënaqur nga vendimet e gjykatës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›