E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtia, Prifti: Më të mirët në rajon

Rënia e volumit tregtar të vendit gjatë vitit 2009 ka qenë evidente. Kjo është pasqyruar edhe në raportin e tregtisë së jashtme që ka publikuar ACIT. Megjithatë kjo situatë është parë me optimizëm nga ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, i cili ka preferuar ta shohë gjendjen në raport me vendet e tjera të rajonit.

"Në qoftë se vendet e tjera rreth nesh kanë pasur rënie të importeve, 10, 15 apo dhe 20 për qind, rënia e importeve në Shqipëri ka qenë rreth 1.8 për qind gjatë 2009. Kurse vendet e tjera rreth nesh, apo dhe vendet e zhvilluara të Evropës dhe botës kanë pasur rënie shumë më të mëdha eksportesh në rendin 20-25 për qind, Shqipëria sigurisht për shkak të rënies së kërkesës në tregun botëror, ka pasur rënie të eksporteve rreth 8 për qind në lekë", u shpreh Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë.

Madje kreu i dikasterit të Ekonomisë ka zgjedhur shifrat e këtij raporti për ti thënë opozitës që të mos punojë vetëm për ta nxirë realitetin shqiptar.

"Opozita jonë po të shihni mediat, 4-5 deputetë në vende të ndryshme të Shqipërisë me një ushtri me bojë të zezë duke nxirë realitetin që është realisht në Shqipëri gjatë gjithë kohës. Unë i ftoj opozitarët tanë në vend që të vazhdojnë të lyejnë gjithë andej me bojë të zezë, të lexojnë raportet që bëjnë institucionet prestigjioze të financuara nga SHBA, për të parë se kush është realiteti në Shqipëri", vijoi Prifti.

Sipas raportit të ACIT gjatë vitit 2009 ekportet kanë rënë me rreth 8 për qind në vlerë të lekut dhe me rreth 2 për qind është regjistruar rënia nga krahu i importeve.

Guina Hoxha

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›