Edmond Kapllani, dy “kartolina” Ari Hanit
Jetmir Halilaj
I ka mjaftuar vetëm një pjesë lojë që ta dërgonte dy herë topin në rrjetë. Edmond Kapllani, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i ka dërguar një mesazh të fortë trajnerit të përfaqësueses, Ari Han, në prag të ndeshjes me Maltën, më 11 shkurt. Bomberi ka shënuar dy gola në takimin miqësor Karlsruhe - Fortuna Dyseldorf, 3-1. Edmond Kapllani e nis vitin 2009 me dy gola, edhe pse në një ndeshje miqësore, pikërisht në atë të fituar 3-1 kundër Fortuna Duseldorfit të Bundesligës 3 gjermane, të zhvilluar në Turqi. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte pjesë e formacionit të dytë të hedhur nga trajneri Edmund Beker në fraksionin e dytë të lojës, por durrsaku ia shpërbleu me dy gola të bukur të shënuar me kokë. Të katër golat e këtij takimi u realizuan në pjesën e dytë, pasi në të parën sulmuesi australian i Karlsruhes, Xhoshua Kenedi, dëshmoi se ishte totalisht jashtë forme. Kënaqësia ishte e madhe për trajnerin Beker, pasi qe Kapllani ai që realizoi golin e barazimit, mbasi Fortuna kishte kaluar e para në avantazh, që në minutën e 50-të. Në minutën e 55-të, Aleksandër Iashvili humbi një 11-metërsh, që u prit nga portieri kundërshtar, Mikael Ratajczak. Gjashtë minuta më pas, në të 62’, Edmond Kapllani realizoi supergolin e tij, kur shënoi me kokë pas një goditjeje këndi, duke e lënë të befasuar portierin e Fortunës. Në minutën e 75-të qe përsëri shqiptari ai që shënoi po me kokë golin e dytë, pas një harkimi të Iashvilit, duke i çuar shifrat në 2-1. Kristian Tim e çoi rezultatin në 3-1 në minutën e 84-t, ndërkohë që Kapllani në fund të takimit pati dhe një shans të madh për të realizuar golin e katërt, kur goditi në mënyrë të mrekullueshme me kokë një top të harkuar nga Tim.
“Presioni” i Memellit
Reparti ofensiv i Kombëtares mbetet më problematiku, jo vetëm sepse sulmuesit kanë shënuar veçse një gol në katër takimet e para të këtij edicioni (Bogdani në ndeshjen kundër Maltës 3-0), por edhe për faktin që thuajse të gjithë kanë pasur një ecuri për t’u harruar gjatë fazës së parë të kampionatit. Bogdani nuk ka shënuar asnjë gol me Kievon në Serinë A, ashtu sikundër edhe Kapllani nuk ka mundur të realizojë asnjë gol në ndeshje zyrtare. Salihi vuajti një dëmtim aspak të lehtë në kavilje dhe iu desh të qëndronte jashtë për disa javë. Berisha shënoi tre gola me Rozenborgun, por tani ka ndryshuar sërish ekip. Mësohet se Ari Han do t’i japë një shans Memellit, bomberit të Tiranës, i cili këtë sezon ka shënuar 10 gola në kampionatin shqiptar. Sulmuesi pogradecar shënoi një tripletë në ndeshjen kundër Bylisit, të cilën Ari Han e ndoqi nga tribuna. Holandezit i ka pëlqyer paraqitja e Memellit dhe në rast se ky i fundit do të udhëtojë me ekipin drejt Maltës, atëherë një mes Bogdanit, Kapllanit dhe Salihit rrezikon të mbetet jashtë.