E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Durrësit”, procesi shoqërohet me kërcënime dhe përjashtime



Përjashtime, bojkote, kërcënime dhe kaos. Kështu mund të përshkruhet seanca e djeshme e “Bandës së Durrësit”, e cila u karakterizua nga këto katër fjalë në momentin kur togat e zeza vendosën t’i japin fjalën për të dëshmuar të penduarit Adriatik Coli, dëshmi e shtyrë prej dy vjetësh për shkak të avokatëve. Sapo gjykata vendosi të boshatisë sallën nga mediat dhe familjarët e pranishëm, për të dëgjuar dëshminë e shumëpritur të të penduarit, vetë të pandehurit shkaktuan dështimin e radhës për këtë proces. Në këtë moment, i pandehuri Lulzim Berisha është ngritur në këmbë dhe ka vendosur të shkarkojë dy avokatët e tij, Arben Qeleshin dhe Ilia Ilian, duke shkaktuar ndërprerjen e seancës. Kjo situatë ka shkaktuar kaos në sallë dhe më tepër, kur gjykata zëvendësoi jo vetëm këta dy avokatë, por edhe disa të tjerë. Gjykata ka urdhëruar zëvendësimin e tyre me avokatë të caktuar kryesisht dhe për tre të pandehur të tjerë, të cilët do të jenë të dubluar me avokatë kryesisht në rast se avokatët e tyre do të mungojnë. Por, në këtë moment të gjyqit erdhën kërcënimet e para, pasi i pandehuri Endrit Taullaj, sipas burimeve nga brenda gjyqit, kërcënoi gjykatën dhe prokurorinë me shprehjen: “Do ta shihni në rast se më jepni një avokat që nuk e dua”. Dhe pikërisht shtyrjet e njëpasnjëshme të gjyqeve, konkretisht 80 seanca në dy vjet, avokatët, detyruan dje edhe të penduarin Coli t’u drejtohet avokatëve të ish-shokëve të tij, duke i kërcënuar me paralajmërimin: “Vazhdoni të mos vini në proces, se plumbin do të hani”. Seanca u mbyll, të pandehurit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, i penduari në vendin ku ruhet nga Zyra e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, ndërsa gjykata e përfundoi seancën e 80-të me një deklarim se Dhomës Kombëtare të Avokatisë do t’i dërgohet një ekstrakt me mungesat e pajustifikuara të avokatëve gjatë këtyre dy viteve proces, ndërsa 10 avokatë të caktuar nga shteti do të jenë të gatshëm për të zëvendësuar katër avokatët e përjashtuar, konkretisht Arben Qeleshin, Ilia Ilian, Sokol Hazizin dhe avokatin e të pandehurit Spartak Kalthi. Por, konfliktet nuk kanë qenë vetëm gjyqtarë-avokatë-të pandehur, por edhe gjyqtarë-prokurorë, pasi njëri nga përfaqësuesit e akuzës, Anton Martini, i ka kërkuar kryesuesit të trupës gjyqësore, Gurali Brahimllari, procesverbalin e seancës së kaluar, ku mes të dyve ka pasur përplasje pas kërkesës së gjyqtarit për të nxjerrë nga salla e gjyqit prokurorin. Kjo kërkesë e gjyqtarit ka ardhur pas disa paralajmërimeve për t’u ulur prokurori, ndërkohë që ky i fundit reagonte për justifikimet e pabaza të avokatëve për shtyrjen e gjyqit. Me cilësinë e të pandehurit si anëtarë të “Bandës së Durrësit” janë marrë nga prokuroria 16 persona, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, ndër të cilat disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës. “Banda e Durrësit”, sipas prokurorisë, në fillimet e saj, që shtrihen në vitin 1997, drejtohej nga i pandehuri Lulëzim Berisha. Më pas, me kalimin e kohës anëtarët e saj janë përfshirë në konflikte me njëri-tjetrin, duke krijuar grupe rivale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›