E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infektivi pushtohet nga frika e gripit

28/05/2009  Rasti: Para se të mbërrijë në QSUT, mjekët austriakë i kanë kërkuar të vizitohet sa më parë

Alarmohen mjekët: Publikohen në mbrëmje analizat e para që largojnë dyshimet për virusin

Pavijoni i infektivit mbërthehet nga frika e rastit të parë të dyshuar si virusi i gripit të derrit në vendin tonë. Mjekët e urgjencës së infektivit menjëherë sapo kanë pritur pacientin 57-vjeçar, i cili, sipas tyre, ka manifestuar simptoma të ngjashme me ato të gripit të derrave, e kanë transferuar drejt dhomës së izolimit në reanimacionin e infektivit, ku i është nënshtruar analizave të posaçme. Pas paralajmërimeve të pafundme të organizmave ndërkombëtarë, kaq ka mjaftuar që i gjithë pavijoni të vihet në gjendje alarmi, çka është manifestuar me vendosjen e maskave për të shmangur kontaktet e marrjes së këtij virusi jo vetëm te mjekët, por edhe te pacientët e shtruar apo ata që janë paraqitur për vizitë. Ndërkohë që pjesa tjetër e pacientëve të gjendur në këtë pavijon kanë nxituar që të mbarojnë sa më shpejt vizitat e tyre për t’u larguar nga spitali.

Ndonëse ky rast është konfirmuar zyrtarisht, stafet drejtuese të shërbimit të infektivit si dhe të dikastereve të tjera përgjegjëse në institucionet shëndetësore janë shprehur me rezerva se rasti mbetet në stadet e dyshimit dhe se do të jenë analizat. Në orët e mbrëmjes shefja e departamentit të kontrollit të sëmundjeve infektive në ISHP Silva Bino bëri të ditur se në Shqipëri nuk ka virus, dhe rezultatet e analizave të personit që dyshohej me simptoma të gripit të derrave kanë rezultuar negative. “ Analizat laboratorike kanë rezultuar negative, kjo gjë e përjashton mundësinë e mbërritjes se gripit në vendin tonë”, ka pohuar Bino. .

Origjina

Gjithçka ka ndodhur gjatë mëngjesit të ditës së djeshme, ku pacienti është paraqitur në urgjencën e QSUT-së, me simptoma të gripit të rëndë, çka i ka bërë ata të dyshojnë se mund të jenë shenja klinike të virusit të derrit. Pacienti, i cili është funksionar i lartë në Ministrinë e Jashtme, kthehej në vend pas një takimi të zhvilluar në Damask të Sirisë për shkak të detyrës së tij. Gjithashtu konfirmohet zyrtarisht se shqetësimet e para të këtij pacienti janë shfaqur gjatë rrugës së kthimit dhe për shkak të komplikacioneve ai është detyruar që të ndalojë në aeroportin e Vjenës, ku është kontrolluar pranë sektorit të shëndetit publik. Mjekët austriakë, pasi e kanë analizuar si rast, kanë kërkuar që ai t’u nënshtrohet analizave dhe vizitave të menjëhershme, pasi simptomat e paraqitura prej tij ishin të rënda. Kjo pasi pacienti ka manifestuar temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhembje barku dhe të vjella, të njëjtat simptoma që presupozohet të ketë dhe gripi i derrave.

Konfirmimet

Të menjëhershme kanë qenë reagimet e dikastereve zyrtare, që kanë pohuar se rasti vetëm dyshohet por që në mbrëmjje është hedhur poshtë pasi analizat kanë rezultuar negative.

Ndërkohë nuk kanë harruar të shtojnë se pak ditë më parë ka ardhur edhe një tjetër alarm, por u hodh poshtë nga analizat, të cilat dolën negative. Gjithashtu duhet pohuar se Siria, vendi nga është kthyer pacienti, deri tani nuk ka paraqitur asnjë rast të dyshuar për virusin e gripit të derrave. Pavarësisht këtyre deklaratave, mjekët e infektivit dhe vetë pacientët, të pushtuar nga frika, kanë nxituar të marrin masat e tyre për të shmangur prekjen nga virusi. Ndërkohë zona do të dezinfektohet në mënyrë të vazhdueshme. Mjekët kanë këshilluar që pacientët të paraqiten për vizitë sapo të vërejnë një nga simptomat e dallueshme edhe të gripit normal, në mënyrë që të trajtohen në kohën e duhur.

ISHP

Në orët e mbrëmjes shefja e departamentit të kontrollit të sëmundjeve infektive në ISHP Silva Bino bëri të ditur se në Shqipëri nuk ka virus, dhe rezultatet e analizave të personit që dyshohej me simptoma të gripit të derrave kanë rezultuar negative. “ Analizat laboratorike kanë rezultuar negative, kjo gjë e përjashton mundësinë e mbërritjes se gripit në vendin tonë”, ka pohuar Bino. Bejtja

“Bëhet fjalë për procedura rutinë dhe çdo person që vjen nga jashtë dhe ka shenja të gripit të zakonshëm, si temperaturë, u nënshtrohet disa ekzaminimeve që janë në protokoll. Çdo person që shfaq simptoma të ngjashme e që vjen nga jashtë, konsiderohet si rast i dyshuar dhe merren menjëherë masat përkatëse. Çdo rast i tillë është nën kujdesin e mjekëve dhe të gjitha ekzaminimet janë duke u kryer në laboratorët përkatës", - ka pohuar drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë Gazmend Bejtja.

Mjekët

Mjekët e urgjencës kanë pohuar se pacienti është dërguar menjëherë në dhomën e izolimit, pasi ka paraqitur simptoma të ngjashme me ato të gripit të derrit, si temperaturë e lartë, dhimbje koke, barku dhe të vjella. Ndërsa shefi i infektivit në deklaratën e tij është treguar më i matur, duke pohuar se pacienti po trajtohet dhe rasti mund të konfirmohet vetëm nëpërmjet rezultateve të plota të analizave.

Raportimet e bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë treguar se rastet e përhapjes së këtij virusi me kalimin e ditëve kanë ardhur gjithnjë e më shumë në rritje, çka ka bërë që niveli i pandemisë të mos zbresë, por të mbetet në shkallën 5 nga 6 që ka në total deri në pragun e epidemisë. Nga të dhënat rezulton se në të gjithë botën kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi jo pak, por 100 persona të moshave të ndryshme. Vendet më problematike për sa u përket viktimave mbeten Meksika (zanafilla e shpërthimit të virusit) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që njohin numrin më të madh të pacientëve të prekur dhe të rriskuar. Shifrat në rang botëror flasin për rreth 12 mijë pacientë të infektuar nga ky virus, pjesa dërrmuese e të cilëve kanë arritur ta mbajnë nën fre me mjekimet dhe trajtimin e tyre në kohën e duhur. Është parë problematike dhe situata në Ballkan, pasi vendet kanë raportuar raste të shumta të përhapjes. Konkretisht në Rumani është zbuluar dje rasti i parë, ndërsa në Greqi është konfirmuar personi i katërt i prekur.

Shtohet frika për rishpërthim tjetër në vjeshtë

Ekspertët: Çdo ditë analizohen 20 mostra si raste të dyshuara

Ekspertët e Shëndetit Publik kanë pohuar gjatë ditës së djeshme se pacienti i izoluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk është rasti i parë i dyshuar për këtë virus. Megjithatë, do të jenë analizat ato që do të përcaktojnë nëse ky rast është pozitiv apo një tjetër alarm fals, siç ndodhi para pak ditësh, kur u dyshua se shtetase ishte bartëse e këtij virusi, por analizat dolën negative. Raportimet e bëra kanë treguar se çdo ditë mblidhen jo vetëm nga QSUT-ja, por edhe nga spitalet e rretheve 20 mostra gjaku, të cilat u nënshtrohen analizave të specifikuara, pasi paraqesin simptoma të gripit të formës së rëndë. Por ekspertët pohojnë se nuk ka shfaqur në asnjë rast prezencën e këtij virusi te pacientët shqiptarë. Ajo çfarë mbetet problematike sipas ekspertëve infeksionistë në ISHP është kalimi i stinës së nxehtë dhe ardhja e vjeshtës, e cila mund të konsiderohet si periudhë e rishpërthimit të këtij virusi, pasi kështu ndodh me të gjitha llojet e gripit. Duke iu referuar rastit të djeshëm, në të gjitha spitalet e vendit do të vijojë mbajtja e gjendjes së gatishmërisë në analizimin e mostrave tek të gjithë pacientët që do të manifestojnë simptomat e këtij virusi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›