Tregu i banesave, ndërtuesit do të ulin çmimet
Rënia e remitencave ul fuqinë blerëse
Në periferi të qyteteve nis ulja e çmimeve për m2
Vetëm një javë më parë ndërtuesit i kërkuan qeverisë të miratojë një paketë masash antikrizë, për të shpëtuar këtë sektor të prekur nga kriza. Nga ana tjetër, ata vetë kanë vendosur të ndërmarrin një hap tjetër, duke ulur disi çmimet e apartamenteve për metër katror, pasi niveli i shitjeve ka rënë ndjeshëm. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ka pranuar se rreth 600 kompani nuk kanë bërë asnjë lekë xhiro gjatë vitit 2008 dhe ky është një kërcënim për të gjitha firmat e tjera të ndërtimit. Të gjendur përballë vështirësive të qytetarëve për të blerë apartamente, ndërtuesit kanë vendosur të ulin çmimet. Specialistët e tregut të pasurive të paluajtshme rendisin një sërë faktorësh pse ka rënë niveli i shitjeve në ndërtim, faktorë këta që do të bëhen shkak edhe për uljen e çmimeve. Së pari, burimi kryesor nga qytetarët për të blerë apartamente janë kreditë. Por dhënia e kredive ka nisur të bjerë, pasi bankat e nivelit japin më pak kredi hipotekore. Së dyti, vetë individët kanë nisur të stepen para se të blejnë pasuri të patundshme, shumë syresh janë në pritje të uljes së çmimeve dhe duan të përfitojë nga ky vendim i firmave ndërtuese. Së treti, janë ulur remitencat, kur të gjithë e dimë se tregu i pasurive të paluajtshme, blerësit më të shumtë, janë emigrantët. Rënia e fitimit në vendet ku emigrantët punojnë për shkak të efektit krizë, ka bërë që ata të dërgojnë më pak para në shtëpitë e tyre në Shqipëri dhe aq më pak të mendojnë në këtë kohë të blejnë pasuri të paluajtshme. Të gjithë këto arsye do të ndikojnë në uljen e çmimit të apartamenteve. Por arsyeja kryesore që do të sjellë reduktimin e çmimeve të apartamenteve në disa zona është ulja e kredive hipotekore nga ana e bankave private në vend. Sipas agjentëve imobilarë, dëshira e klientëve për të blerë nuk mungon, por bankat padyshim nuk japin kredi si më parë. Vetë ndërtuesit gjykojnë se një efekt mjaft negativ ka dhënë rënia e dërgesave të emigrantëve, të cilët përbëjnë edhe një pjesë të konsiderueshme të klientëve që blejnë apartamente. Sipas tyre, kjo rënie ka ulur direkt edhe likuiditetet në të gjithë tregun e ndërtimeve, sidomos të banesave. Gjatë kësaj periudhe është vënë re gjithashtu edhe një ulje shumë e madhe e apartamenteve nga ana e të huajve. E njëjta panoramë si në kryeqytet po duket edhe në rrethet e tjera të vendit, ku ndërtimi ka njohur rritje gjatë viteve të fundit. Ajo që konfirmohet nga Shoqata e Ndërtuesve është një pezullim i investimeve të reja në tregun e banesave në rreth, njëherësh me një “stepje” të klientëve për të blerë apartamente të reja. Por agjentët imobiliarë në Tiranë sjellin sinjale pozitive, sidomos për qytetarët, ndërtuesit parashikojnë që çmimet e apartamenteve në periferi të kryeqytetit të ulen deri në 20%. Agjentët imobilarë dhe ndërtuesit konfirmojnë se ka një “ngrirje” të kërkesës, që mund të prekë vetëm zonat periferike, ndërsa qendra do të vazhdojë të ruajë po ato çmime. Për herë të parë në vend agjentët imobilarë kanë skicuar zonat e kryeqytetit ku mund të ketë një rënie të lehtë të çmimeve të apartamenteve. Kodrat e Liqenit, në afërsi të Kopshtit Botanik, Fresku pranë malit të Dajtit, si dhe zona e Unazës së re e Yzberishtit, janë zonat ku individët mund të përballen me një rënie të çmimeve të apartamenteve. Sipas agjentëve imobilarë në kryeqytet, por edhe ndërtuesve vendas, çmimet në zonën e Unazës së re dhe të Freskut mund të kenë një ulje deri në 15%, pasi ato sot janë edhe më të ulëtat në treg. Në këto zona, nga 500 euro që janë shitur për metër katror, mund të shkojnë deri në 450 euro metër/katrorë.