Mediu në Rrëshen, kërkon një mandat të dytë qeverisës
Stacioni i radhës i takimeve të kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ishte qyteti i Rrëshenit. Në këtë takim ai ishte i shoqëruar nga anëtarë të tjerë të Kryesisë së kësaj force. Gjatë fjalës së tij, Mediu analizoi të gjitha reformat dhe sukseset e maxhorancës së djathtë gjatë këtyre 4 viteve. Ai u shpreh i bindur se shqiptarët do t’i japin sërish besimin këtij koalicioni për një mandat të dytë, për të qenë edhe një herë një qeveri e suksesshme. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje historike, një sukses i të gjithëve ne. Së bashku ne do të arrijmë rezultate të tjera të suksesshme. Së shpejti ne do të anëtarësojmë Shqipërinë në BE. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të gjithë ne. Qeveria ka marrë masa që t’i pajisë qytetarët me letërnjoftime elektronike dhe karta identiteti. Aplikimi për to është i rëndësishëm, pasi ato realizojnë plotësimin e standardeve nëpërmjet të cilave ne do të jemi qytetarë të BE-së”, - është shprehur Mediu.
Biberaj përshëndet qëndrimin francez për zgjerimin e BE-së
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka përshëndetur dje qëndrimin francez për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, qëndrim i shprehur nga sekretari francez i Shtetit për Çështjet Europiane, Bruno Le Mer. Biberaj vlerëson se “zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë dhe mbetet prioritet dhe sfidë e rëndësishme e politikës së re europiane. Integrimi sa më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE u shërben më së miri paqes dhe stabilitetit afatgjatë jo vetëm të rajonit të trazuar të Ballkanit, por edhe të vetë Europës”. “Qëndrimi francez vjen në momentin e duhur për Shqipërinë, pasi siç dihet, tashmë Shqipëria pritet të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda presidencës çeke”, - gjykon Biberaj.
Deputeti Biberaj shprehet se “integrimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE, si dhe lëvizja e lirë pa viza e qytetarëve shqiptarë, mbeten prioritetet kryesore të maxhorancës”.
Xhaferraj akuzon Prokurorinë që nuk ka hapur dosjet kundër Ramës
Komisioni hetimor për kryebashkiakun Rama ka zhvilluar dje mbledhjen e parë vetëm me praninë e deputetëve të maxhorancës. Deputetët e PD-së kanë treguar dhe njëherë vendosmërinë e tyre për të hetuar mbi procedurat e ndjekura nga kreu i Bashkisë së Tiranës për dhënien e lejeve të ndërtimit. Deputetët kanë zgjedhur Ferdinand Xhaferrajn kryetar të këtij komisioni. Xhaferraj, nga ana e tij, ka akuzuar Prokurorinë e Përgjithshme, e cila, sipas tij, fle mbi dosjet e korrupsionit të Ramës. “Prokuroria jo vetëm që po fle, por ka vendosur t’i shpallë monumente të kulturës dosjet e korrupsionit skandaloz të Ramës”, - është shprehur Xhaferraj.
I pyetur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese sipas të cilit nuk mund të hetohen pushtetarët vendorë, ai tha se PD-ja, me nismën e saj, po zbaton Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Sipas Xhaferrajt, pavarësia e pushtetit vendor nuk mund të justifikojë vjedhjet skandaloze të Ramës. Ai gjithashtu konfirmoi se Komisioni hetimor parlamentar do të thërrasë Ramën të dëshmojë mbi procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit.
25 Prill 2009