E Shtunë, 31 Tetor 2026

Organizata greke “MAVI”, dy atentate kundër deputetit Tavo

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 17-01-2011 10:12

Athinë- Organizata ekstremiste greke, MAVI, ka tentuar dy herë të vrasë deputetin minoritar Vangjel Tavo. Kështu thuhet në librin “Në yllëzimin e Nacionalizmit’, i botuar vetëm pak ditë më parë në Greqi nga gazetari i ‘Kathimerini’-it, Stavros Ximas. Libri i sapobotuar sjell një sërë të dhënash, që tregojnë për aktivitetin e kësaj organizate famëkeqe, por edhe për ekzistencën e të paktën dy qendrave në Ministrinë e Jashtme, EYP (Shërbimi Sekret i Greqisë), qendra për Pranimin dhe Integrimin e Homogjenëve Grekë (EIYAPOE), por edhe ‘Omonian’, në lidhje me politikën greke në Shqipëri, fill pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës, në fillim të viteve `90. Duke u bazuar në fakte, shumë prej të cilave botohen për herë të parë, një pjesë e këtyre mekanizmave krijonte te grekët e Shqipërisë klimën e separatizmit, me qëllim realizimin e një strategjie, ‘autonomie/pavarësie’, të Epirit të Veriut, e përafërt me atë që bënin shqiptarët në Kosovë” - shkruan gazeta më e madhe greke, “Kathimerini”. Në shkrimin e kësaj të përditshmeje thuhet se nën kupolën e kësaj strategjie u zhvilluan organizata dhe shoqata të pakontrolluara “patriotike”, ngjarje që në vend që të ndihmonin dëmtuan në masë të madhe minoritetin grek dhe i nxorën të palarat Athinës në arenën ndërkombëtare. “Në këtë rrymë, mbetjet e organizatës ekstremiste nacionaliste MAVI, e njohur ndryshe si Fronti i Çlirimit të Epirit të Veriut, tentuan të vrasin më 13 mars 2001, në një tavernë në Peristeri të Athinës, deputetin minoritar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Vangjel Tavo”, - thuhet në librin e gazetarit Ximas. Sipas tij, “tentativa e vrasjes së Tavos, të cilin MAVI kishte tentuar ta eliminonte edhe në vitin 1997, në fshatin e tij në zonën e minoritetit grek, nuk është zbardhur ende nga policia greke. Për këtë informacion, Ximas u referohet dëshmive të dy anëtarëve të MAVI-t, që jetojnë sot në Greqi, njëri në Athinë dhe tjetri në një qytet tjetër grek” - thuhet në këtë artikull. Në dëshminë e tyre, dy vorioepirotët thonë se morën pjesë si në sulmin ndaj bazës ushtarake shqiptare të Peshkëpisë, ku vranë dy ushtarë shqiptarë, por edhe në operacionin e dështuar në Logo, kur u arrestuan në territorin grek nga policia greke dhe u proceduan penalisht nga Prokuroria e Janinës. “Në vend që çështja të shqyrtohej më thellë dhe të gjykohej në Janinë, me vendim të Gjykatës së Lartë ‘për çështje të sigurisë kombëtare’ u zhvendos në Athinë. Gjyqi u krye me dyer të mbyllura dhe Apeli uli dënimet e Gjykatës së Shkallës së Parë, për një çështje që Andrea Papandreu si kryeministër e kishte cilësuar si ‘një çështje të organizuar dhe tejet të rrezikshme… që nga ne nuk do të mbulohet’” - thuhet në librin e Ximas. Gazetari, që boton për herë të parë protokollin e seancës gjyqësore, shtron pyetjen: Çfarë ishin si përfundim për drejtësinë greke këta njerëz? Ishin spiunë të shërbimeve sekrete shqiptare? Nëse po, përse u lanë të lirë? Ishin provokatorë superpatriotë? Nëse po, përse u dha dorë shteti grek, të cilin e dëmtuan? Për qeverinë “Papandreu”, që kishte trashëguar këtë situatë të vështirë, në çdo rast, shkatërrimi i mekanizmit parashtetëror, që ishte ndërtuar për të “çliruar” Epirin e Veriut, ishte realizuar pjesërisht dhe me siguri nuk ishte më me kuptim “vuajtja” e mëtejshme e anëtarëve të MAVI-t.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›