E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi i vogël taksohet dyfish

Plani
Skema e re e pagesës së taksave në rast se nuk investohet

Pas uljes së pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 8 në 5 milionë lekë xhiro vjetore, qeveria i jep goditjen e dytë brenda pak kohësh biznesit të vogël, këtë herë edhe më të fortë. Pa asnjë debat dhe konsultim publik me grupet e interesit, ndryshon ligjin për të ardhurat duke i dyfishuar barrën fiskale të bizneseve të vogla person fizik, pasi këtë vit do të paguajnë jo vetëm për tatim-fitimin, por tashmë edhe për tatimin mbi të ardhurat.
Sipas ligjit aktual një biznes i vogël, person fizik taksohet 10 për qind të fitimit vjetor që ai realizon.Por me ndryshimet e reja qeveria e detyron këtë biznes, që nëse është person fizik të deklarojë para datës 31 korrik të vitit pasardhës se çfarë do të bëjë me pjesën e mbetur të fitimit pas taksës 10 për qind.
Në rast se sipërmarrësi nuk e ri-investon fitimin në biznes, por e mban atë për të mbuluar shpenzimet familjare dhe vetjake apo arsye të tjera, atëherë do të detyrohet të paguajë edhe 10 për qind edhe mbi këtë pjesë si tatim.
Konkretisht, nëse një biznes ka realizuar 1 milion lekë fitim për vitin 2009, taksa që ai paguan me ligjin aktual është 100 mijë lekë. Pas taksës fitimi neto i këtij biznesi mbetet 900 mijë lekë.
Por me ndryshimet e reja ky biznes nëse nuk e rinveston shumën mbetur prej 900 mijë lekësh është i detyruar që të paguajë edhe 10 periudha të tjera mbi vlerën 900 mijë lekë. Dhe në total tatimi i një biznesi me fitim 1 milion lekë nga 100 mijë lekë taksa që paguan aktualisht me ndryshimet e reja do të paguajë 190 mijë ose gati dy herë më shumë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›