Kodheli: “Meta po bashkëpunon me Berishën për zgjedhjet”
Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha se hedh baltë mbi kundërshtarët e tij politikë pa asnjë lloj etike. Një akuzë tjetër nga selia rozë dje i është adresuar kreut të LSI-së, Ilir Meta, që sipas socialistëve, po sillet si ministër i kryeministrit aktual. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, tha: “Berisha ka hedhur baltë mbi familjen e Edi Ramës. Mbrëmë shqiptarët panë një shfaqje të mjerueshme të degradimit të politikës në pushtet, dhënë nga zoti Sali Berisha. Kryeministri sulmoi me një primitivizëm, që s’ka asnjë lidhje me Kodin Etik të familjes europiane, kryetarin e opozitës dhe familjen e tij. Ne mendojmë se në fakt kjo baltosje e kthyer në platformë politike të PD-së flet më mirë se çdo koment për krizën e ideve dhe të rezultateve të kryeministrit e të qeverisë së tij”. Në emër të PS-së Kodheli tha dje se Berisha qartësoi bashkëpunimin me Ilir Metën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas Kodhelit, Berisha nuk mbledh dot vota i vetëm. “Nga ana tjetër, kryeministri e shpalli hapur qëllimin e tij për t’u bashkuar me Ilir Metën për të bërë qeverinë pas 28 qershorit, përderisa nuk i fiton dot votat i vetëm. Është krejt e qartë, se Berisha dhe Meta janë bashkë dhe duan të fitojnë për të bërë së bashku edhe 4 vjet të tjera atë që kanë bërë 18 vjet me radhë”, - tha zëdhënësja e Kryesisë së PS-së.
14 Mars 2009