E Diel, 1 Nëntor 2026

Muze diktature në Shkodër, fondi bllokon projektin

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Mungesa e financimit nga ana e Ministrisë së Kulturës, ka bërë që prej 3 vitesh Muzeu i Diktaturës, i premtuar me kohë të qëndrojë i papërfunduar. Qyteti më i madh verior Shkodra, krahas vlerave të mëdha historike dhe kulturore, ruan edhe vlerat e një persekutimi të gjatë dhe të ashpër të regjimit komunist.
Vuajtjet e tmerrshme që kanë përjetuar një pjesë e madhe e të dënuarve, të cilët arritën t’i mbijetonin egërsisë komuniste kanë bërë që prej rreth 4 vitesh, Shoqata e të Persekutuarve dhe të përndjekurve politikë, të kërkojë hapjen në Shkodër të një muzeu ku të pasqyrohen të gjitha dënimet dhe krimet makabre të atij sistemi. Ndrekë Bazhdari, kryetar i Shoqatës të së Persekutuarve të Shkodrës, sqaron se këtë kërkesë ia kanë drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe është premtuar, por deri tani nuk është kryer asnjë veprim konkret. Madje, Shoqata e të Persekutuarve ka sugjeruar dhe vendin se ku mund të hapej një muze i tillë. Për shoqatën vendi më i përshtatshëm do të ishte ish-dega e Punëve të Brendshme në Shkodër, nëpër të cilën kishin kaluar sipas shoqatës rreth 40 mijë të burgosur. Ky burg ishte quajtur nga shkodranët herë si “Burgu i Torturave”, e herë si “Burgu i Madh”. Ky emërtim kishte ardhur për dy arsye. Me ardhjen në fuqi të komunistëve në Shkodër funksiononin 12 burgje të improvizuar vetëm në këtë qytet dhe ky ambient ishte më i madhi. Gjithashtu, pothuajse të gjithë të dënuarit, kryesisht intelektualë të njohur shkodranë, pjesëtarë të familjeve të vjetra, apo të pasura të Shkodrës, klerikë, tregtarë, patriotë të vërtetë, antikomunistë të flaktë, kishin kaluar më parë apo qëndruar në birucat e burgut të Degës së Brendshme, tepër famëkeqe jo vetëm për Shkodrën, por edhe për të gjithë veriun e Shqipërisë. Dyert e kësaj Dege të Brendshme në Shkodër konsideroheshin si më të frikshmet, pasi pothuajse të gjithë që futeshin, apo thirreshin të merreshin në pyetje, përfundonin në birucat e saj, ku pasi torturoheshin nga hetuesit një pjesë e mirë gjente dhe vdekjen. Vetë kreu i Shoqatës të së Persekutuarve, Ndrekë Bazhdari, sot 70 vjeç, ka vuajtur në birucat e Degës së Brendshme si i burgosur politik, që në moshën 17-vjeçare. Drejtuesit e Shoqatës së të Persekutuarve të Shkodrës theksojnë faktin se dhe sot, në muret e mbetura të këtij burgu ruhen “gjurmët” e lëna nga ish-klerikët dhe intelektualët më në zë të Shkodrës, të cilët nuk iu nënshtruan regjimit komunist. Ky burg vazhdon të ruajë në mure mizoritë e sistemit komunist, ndaj është një e drejtë e gjithë të mbijetuarve, si dhe e trashëgimtarëve të atyre, që vdiqën në tortura në këtë burg, që ai të shërbejë si muze. Mirëpo sot ky burg ndodhet në juridiksionin e “Provincës Françeskane”, e cila e ka mirëpritur një ide të tillë të Bashkisë së Shkodrës. Por, pushteti vendor, në pamundësi për ta realizuar me fondet e veta ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Kulturës, ndonëse kjo e fundit megjithë premtimin e ka lënë pezull projektin prej 3 vitesh.

Kush provoi birucat e burgut të Torturës
Në birucat e burgut të ish-degës së Brendshme janë torturuar intelektualët Myzafer Pipa, Imzot Ernesto Çoba, At Zef Pllumbi, At Bernardin Palaj, Papa Jani e shumë figura të njohura të Shkodrës. Intelektuali i persekutuar Ahmet Bushati, shprehet se “është thënë e provuar se një popull pa kujtesë historike është i destinuar të përsërisë të kaluarën e tij dhe këtë e provon çdo ditë jeta jonë politike e shoqërore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›