Përplas motoçiklistin, shoqërohet 49-vjeçari
Një 31-vjeçar që udhëtonte me një motor është në gjendje kritike për jetën pas një aksidenti të ndodhur në rrugën e plazhit të Durrësit. Ngjarja e rëndë rrugore ndodhi rreth orës 12:20 të së martës, në sektorin “Iliria” të plazhit. Alban Mrruku, 31 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Durrës, ka qenë duke udhëtuar me një motor me targa të Shkodrës në aksin rrugor Plepa- Ura e Dajlanit, kur është përplasur me një automjet tip “Fiat” me targa TR 6538 P që drejtohej nga shtetasi Arben Saliasi. Të dy mjetet motorike të përfshira në aksident lëviznin në të njëjtën korsi. Pas përplasjes dhe rënies në tokë të motoçiklistit, dëshmitarë okularë tregojnë se trupi i të riut është goditur dhe marrë përpara dhe nga një tjetër automjet me targa të huaja që lëvizte në rrugë në çastin e aksidentit. Shërbimet policore të cilat shkuan në vendin e ngjarjes nga veprimet e para hetimore konstatuan se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia në lëvizje dhe mosrespektimi i distancave. Ndërkohë, në ambientet e policisë së Durrësit është shoqëruar 49-vjeçari Arben Saliasi deri në sqarimin e plotë të rrethanave. Ndërkaq, drejtuesi i motorit ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit nën kujdesin e bluzave të bardha.
#