Trepça ‘kërcënon’ liderin

Xhiroja e njëzetekatërtë e Superligës së Kosovës në futboll nis të shtunën në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, ku Trepça do ta sfidojë liderin e renditjes tabelore Vëllaznimin, i cili konsiderohet si njëri prej favoritëve kryesor për titull të kampionit, bashkë me Prishtinën e Trepçën ’89.
Trepça është e vetëdijshme se do ta ketë shumë vështirë të përballet me gjakovarët, por pas dy humbjeve të njëpasnjëshme që i pësuan nga rivali lokal Trepça ’89, ‘Xehetarët’ duan që të këndellen, duke shënuar fitore në këtë betejë. Madje, skuadrës së Fidaim Haxhiut i nevojiten shumë pikët për t’iu shmangur rrezikut për të rënë nga elita, sepse aktualisht me vetëm 26 pikë zë vendin e tetë të renditjes tabelore, duke i lënë prapa vetës Drenicën, Lepencin, KEK-un e Gjilanin me një diferencë të vogël pikësh.
“Pas atyre dy humbjeve jemi mobilizuar që t’u kthehemi fitoreve. Na mungojnë dy lojtarë shkaku i kartonëve, por na kthehen nga lëndimet dy lojtarë tjerë. Nuk na intereson pozicioni i Vëllaznimit apo synimet e tij. Secili klub i ka objektivat e veta, andaj neve na nevojitet fitorja. Ky nuk është ‘kërcënim’, por me lojë të mirë jam shumë i sigurt se do të fitojmë përballë Vëllaznimit”, deklaroi qendërmbrojtësi i njohur i Trepçës, Arben Zhjeqi.
Mirëpo, mitrovicasit nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë këtë objektiv, pasi edhe Vëllaznimi drejt ‘Adem Jasharit’ do të udhëtojë për t’i fituar pikët e plota nga kjo sfidë, me qëllim që ta ruajë pozicionin e parë në Superligë, të cilin ia rrëmbeu Prishtinës në javën e kaluar. Kuqezinjtë aktualisht i kanë 43 pikë, një më shumë sesa Prishtina, respektivisht dy më shumë se Trepça ’89.
“Ne shpresojmë që ta ruajmë pozicionin tonë në krye të tabelës. Përparësia jonë është se në këtë takim do të hyjmë me presion shumë më të vogël sesa Trepça, e cila po lufton për ekzistencë. Faktikisht, si mysafirë po luajmë më mirë sesa në shtëpi, po shënojmë më shumë gola, andaj besoj se do t’ia dalim mbarë”, tha njëri prej lojtarëve kryesor të Vëllaznimit, Robert Gjeraj.
Ky takim nis në orën 13:15, kurse prej orës 15:00 KEK-u do ta sfidojë Dritën, e cila po përjeton krizë në këtë pranverë.
Superliga – Xhiroja e 24-të
E shtunë
Trepça – Vëllaznimi 13:15
KEK-u – Drita 15:00
E diel
Liria – Prishtina 13:15
Besa – Drenica 15:00
Lepenci – Trepça’89 15:00
Gjilani – Hysi 15:00