Trepça ’89 – Ferizaj, në finale të Kupës
Mitrovicasit ia dolën ta eliminojnë në gjysmëfinale kampionin aktual, Hysi, pas përballjes së dyfishtë.
Dueli i parë, i zhvilluar dy javë më parë në Mitrovicë kishte përfunduar baras, 1:1, ndërsa ‘Xehetarët’ u treguan më të sigurt në ndeshjen e kthimit, duke fituar me rezultat minimal, 1:0.
Golin e fitores për ekipin gjelbër e bardh e shënoi Kastriot Rexha, në minutën e fundit të pjesës së parë, pas harkimit të Shpëtim Idrizit. Në minutat e fundit, skuadra nga Merdara luajti me një lojtar më pak, pas ndëshkimit me karton të kuq të portierit Afrim Ademi.
Në duelin tjetër, ferizajasit ia dolën ta eliminojnë liderin e Superligës, Prishtina.
Bardh e kaltrit nuk arritën më shumë se një barazim pa gola 0:0, i cili nuk u mjaftoi që të shkojnë në finale, pasi që ndeshja e parë, e zhvilluar në kryeqytet, kishte përfunduar 1:1.
Prandaj, skuadra nga Liga e Parë shkoi në finale falë përparësisë që sjell goli në udhëtim.