E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça shumë afër titullit

Nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara të xhiros së 31-të, vetëm Vëllaznimi ia doli të nxjerrë pikë si mysafir në Ferizaj, pasi luajti baras 1:1.

Trepça – Hysi 1:0
Trepça e ka bërë një hap shumë të madh drejt titullit të parë të kampionit në futbollin e pasluftës. Mitrovicasit e mposhtën Hysin me epërsi minimale dhe, falë humbjes së KEK-ut në dy ndeshjet e fundit, atyre u nevojitet vetëm një pikë për ta siguruar matematikisht titullin. Pjesa e parë u ka takuar mysafirëve, që patën disa raste të mira. Në minutën e 55-të vendësit mbetën me një lojtar më pak, pas ndëshkimit me karton të Fitim Llapashticës. Por, kjo nuk i pengoi ‘xehetarët’ që të shënojnë në minutën e 73-të me anë të kapitenit Elvis Osmani dhe për ta fituar krejt ndeshjen.

Besa – KEK-u 4:1
KEK-u e ka lëshuar mundësinë më të mirë të sezonit: Kastriotasit humbën me rezultat bindës nga Besa në Pejë dhe titulli i kampionit për ta mund të mbetet vetëm ëndërr. Tash ‘elektricistët’ kanë gjashtë pikë më pak se Trepça dhe kanë vetëm gjasa teorike për titull. Fitim Kasapi ishte trim i fitores së pejanëve, pasi realizoi tri gola – dy në pjesën e parë (14’ nga penalltia e 16’) dhe një në minutën e parafundit të ndeshjes. Në pjesën e dytë udhëtuesit ishin më të mirë, por nuk arritën më shumë sesa ta godisnin shtyllën dy herë dhe ta realizonin vetëm një gol me anë të Berat Grabovcit (75’). Derisa po mundoheshin ta barazonin rezultatin, mysafirët u befasuan në pesë minutat e fundit kur pësuan dy gola. Golin e tretë për Besën e shënoi Granit Çekaj, kurse të katërtin Kasapi.

Ferizaj – Vëllaznimi 1:1
Ferizaj dhe Vëllaznimi i kanë ndarë pikët në përballjen e tyre në kuadër të xhiros së 31-të të Superligës. Të parët kanë kaluar përpara vendësit përmes Fitim Sadriut (30’). Ndërsa gjakovarët e barazuan rezultatin në minutën e 58-të, kur huqjen e Sermaxhajt nga penalltia (e priti portieri Ajdini) e rregulloi Rilind Juniku, që e plasoi në rrjet topin e kthyer nga ai rast. Ferizajasit e mbajnë distancën prej tri pikësh ndaj kuqezinjve, por skuadra që shkon në barazh do të vendoset në dy xhirot e fundit.

Prishtina – Liria 2:1
Prishtina e ka mposhtur Lirinë në përballjen e tyre për prestigj, pasi asnjërës skuadër nuk i duhej fitorja domosdoshmërisht. Faton Zejnullahu ka kontribuar më së shumti në fitoren e bardh e kaltërve, pasi që asistoi në të dyja golat: në minutën e 34-t nga goditja e këndit e gjeti Labinot Ibrahimit, që shënoi me kokë. Kurse në minutën e fundit të ndeshjes e shërbeu për zëvendësuesin Astrit Fazliu, i cili ia solli tri pikë të reja prishtinasve. Për prizrenasit golin e vetëm e shënoi Rafet Mullallari (63’).

Drenica – Flamurtari 3:0
Me fitoren ndaj Flamurtarit, Drenica i ka ikur përfundimisht pozitës së 10-të, që çon në barazh (po ashtu falë barazimit në Ferizaj). Mensur Limani ka qenë më meritori për drenicasit, ngase shënoi dy gola, në minutat 44 nga penalltia e 58-të. Kurse për golin e tretë u përkujdes Feriz Bajraktari.

Kosova – Gjilani 3:0
Kosova ka shënuar një fitore të vonuar ndaj Gjilanit në ballafaqimin e skuadrave të fundit në tabelë. Vushtrriasit kryen punë në pjesën e parë, përkatësisht për gjysmë ore, kur edhe i shënuan të tria golat me anë të Kujtim Pantinës, Bajram Zuqakut e Bashkim Shalës. Dy xhiro pa përfunduar sezoni, Kosova ka 5 pikë më pak se Vëllaznimi, me shumë pak gjasa për të shpëtuar.

Raiffeisen Superliga – Xhiro 31

Tabela ND GD PI
1. Trepça 31 19 56
---------------------------------------
2. KEK-u 31 17 50
3. Prishtina 31 4 49
4. Besa 31 13 47
5. Hysi 31 11 47
6. Liria 31 5 44
7. Flamurtari 31 -2 44
8. Drenica 31 -10 43
9. Ferizaj 31 -6 39
---------------------------------------
10. Vëllaznimi 31 -11 36
---------------------------------------
11. Kosova (V)31 -14 31
12. Gjilani 31 -23 25

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›