E Shtunë, 31 Tetor 2026

Villa, përforcimi i parë i Barçës

Barcelona e ka bërë ‘gjuajtjen’ e parë për sezonin e ardhshëm. Klubi katalunas dhe Valencia kanë arritur marrëveshje të mërkurën paradite për transferimin e sulmuesit spanjoll David Villa te klubi katalunas për 40 milionë euro. 28 vjeçari do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare, me mundësi edhe për një vit, me kampionin aktual të Europës.

Kampioni i Spanjës e ka bërë të ditur këtë lajm përmes ueb faqes së vet zyrtare, ndërsa ka njoftuar se përfaqësuesi spanjoll do ta nënshkruajë kontratën dhe do t’i nënshtrohet vizitës mjekësore të enjten, para se të prezantohet një ditë më pas në stadiumin Camp Nou, ku dyert do të jenë të hapura për publikun.

Futbollisti i ka përshëndetur tifozët e Valencias me një letër të hapur në uebfaqen e klubit. “Do ta mbaj Valencian në zemër, jam i nderuar që e kam veshur këtë fanellë. Pas pesë sezonesh të shkëlqyeshme ka arritur momenti i përshëndetjes. Këtu i lë shumë shokë, por kjo ishte gjëja më e mirë për klubin. Te Valencia jam rritur si futbollist dhe si person. Kjo gjithmonë do të jetë shtëpia ime”, ka thënë Villa.

Drejtori sportiv i Barçës, Txiki Begiristain, ka thënë se Villa do t’i përshtatet shpejt dhe në mënyrë perfekte mënyrës së lojës katalunase. “Njëjtë si Messi, ai është kombinim i qendrës së sulmit ose sulmuesit të djathtë, që mund të transferohet edhe në mesfushë. Profili i tij është i një futbollisti të aftë me lëvizje të shpejta dhe manovron mjaft mirë në hapësira”, tha Begiristain.

Edhe kapiteni i Barcelonës, Xavi Hernandez e ka përshëndetur ekipin e tij për transferimin e Villas, të cilin e konsideron të qëlluar.

“Është një lajm shumë i mirë për Villan dhe për ne. Villa do të përshtatet mjaft mirë në lojën e Barcelonës. Këtë e ka bërë edhe në përfaqësuese, ku luajmë në mënyrë të njëjtë dhe ku paraqiten disa futbollistë të Barcelonës. Ai e ka demonstruar edhe te Valencia se nuk e ka problem të luajë në çfarëdo pozite përpara. Ai është një lojtar me stil të Barcelonës dhe do të na ndihmojë sezonin e ardhshëm me lojën dhe me golat e tij”, tha numri 6 i Barçës.

Në dy sezonet e tij të para në La Liga (2003-05) me Zaragozan, ai zgjoi interesimin e të gjithëve me intuitën e tij për golin, për t’u transferuar më pas te Valencia. 28 vjeçari i kaloi pesë sezonet pasardhëse te Valencia, ku realizoi 107 gola në 166 paraqitje. Villa është futbollist i rregullt i përfaqësueses së Spanjës, ndërsa dha kontribut maksimal në suksesin që spanjollët e patën në Euro 2008.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›