E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia, ëndrra e Capellos

Fabio Capello është i nderuar që e përfaqëson Anglinë dhe shpreson që t’i udhëheqë ‘Three Lions’ drejt suksesit në Botërorin 2010.

Trajneri italian është duke i bërë përgatitjet për Afrikën e Jugut, por së pari do t’i bëjë disa prova në ndeshjet përgatitore të përfaqësueses angleze kundër Meksikës dhe Japonisë, para se ta ngushtojë listën për shtatë futbollistë, të cilët nuk do ta kenë mundësinë të jenë pjesë e kontingjentit anglez.

“Për sa kohë mbaj mend, ishte gjithmonë në ëndrrën time që ta menaxhoj ekipin e Anglisë”, ka thënë Capello për tabloidin The Mirror.

“Kjo është bërë realitet për mua që dy vjet dhe nga ai moment i gjithë fokusimi im është bartur te Kupa e Botës. Si menaxher i kam dërguar klubet e mia në finale të rëndësishme, në turne të rëndësishëm. Por, si me Milanin, ashtu edhe me Real Madridin, ne po e përfaqësonim vetëm një qytet. Me shtete është ndryshe: nga ju pret i gjithë vendi”, tha Capello.

Anglia ka marrë pjesë në 12 kampionate botërore, ndërsa italiani shpreson që numri 13 të jetë kësaj radhe me fat. “Shpresoj që të krijoj kujtime të reja me Anglinë. Ky mund të jetë një kapitull i ri i Anglisë në Kupën e Botës, mbase do të jetë me fat edhe numri 13”, tha në fund Capello.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›