Tri familje në Borsh rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur
Rrëshqitjet e tokës kanë vënë në rrezik serioz tri shtëpi në fshatin Borsh dhe shkollën nëntëvjeçare të Lukovës. Lajmi konfirmohet nga nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, i cili dje ka shkuar për të parë nga afër situatën. Nga inspektimi në zonë është parë se godina e shkollës së Lukovës është dëmtuar në atë shkallë që rrezikon shembjen. Sipas ekspertëve, jeta e nxënësve është e pasigurt, prandaj është urdhëruar pezullimi i mësimit në këtë godinë. Që prej ditës së hënë, 77 nxënësit e kësaj shkolle do ta vijojnë mësimin në shkollën fqinje të fshatit Piqeras, ku u inspektuan dhe u panë konkretisht mjediset e saj të përshtatshme për një lëvizje të tillë. Në të njëjtën kohë, me Komunën e Lukovës u diskutuan mundësitë e dhënies së një fondi prej 2 milionë lekësh për rikonstruksionin e menjëhershëm të godinës dhe vënien e saj në funksionim të plotë brenda pak kohësh. Po dje, është konstatuar shkarja e dheut në një segment të rrugës së re të Bregdetit, në fshatin Borsh. Rrëshqitja e tokës rrezikon shembjen e tri shtëpive që ndodhen pranë rrugës. Nënprefekti Mano, pasi ka kontaktuar me kryefamiljarët u ka kërkuar ta zgjidhin sa më shpejt çështjen e evakuimit të tyre, nëpër të afërm deri në një moment të përshtatshëm. Ndërkohë ai ka njoftuar Drejtorinë e Emergjencave në Ministrinë e Brendshme për gjendjen e këtyre banorëve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për të marrë sa më shpejt masa për rehabilitimin e rrugës nacionale në pjesën ku ka ndodhur rrëshqitja e tokës. Burime nga nënprefektura e Sarandës bëjnë të ditur se rrëshqitje toke janë konstatuar edhe në fshatrat Brailat e Kostar të Komunës së Mesopotamit. Rruga që lidh Kopaçezën me Palavlinë në Komunën e Vergoit dhe ajo që lidh fshatin çiflik me Shkallën kanë qenë të bllokuar, ndërkohë që për segmentin e fundit, Bashkisë së Konispolit i është kërkuar të dorëzojë sa më shpejt projektin e rehabilitimit të tij.
Për sa i përket përmbytjeve të tokave bujqësore, nga drejtues të bordit të kullimit, është shtuar kujdesi për mbajtjen nën kontroll të sigurisë së digave pranë disa rezervuarëve.
Drejtori i Ndërmarrjes së Ujërave, Skënder Duka, tha dje për “Shqip” se e gjithë vëmendja është drejtuar në funksionimin normal të shkarkuesve, me anë të të cilëve është siguruar shkarkimi i vazhdueshëm i prurjeve të ujit. Këto ditë ka dalë në pah kërkesa për një fond për disiplinimin e lumit të Delvinës, në mënyrë që të parandalohen në kohë pasojat që mund të sjellë vërshimi i tij në toka dhe banesat pranë tij.
#