E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkodër, zgjerohet harta e përmbytjeve

Situata/ Uji largohet nga periferia e Shkodrës, izolohet plotësisht Velipoja

Harta e përmbytjes në brendësi të zonës së Nënshkodrës vazhdon të zgjerohet. Ndërsa në afërsi të qytetit të Shkodrës ka një tendencë të rënies së nivelit të ujit, komunat dhe dhjetëra fshatra të kësaj zone janë izoluar plotësisht nga uji. Situata paraqitet problematike në Velipojë, ku për momentin e gjithë komuna është e izoluar. Rruga kryesore është bërë e pakalueshme nga uji, ndërkohë që situata sa vjen e bëhet më shqetësuese. Në këto kushte, 11 fshatra me rreth 9 mijë banorë të Komunës së Velipojës janë izoluar totalisht dhe e kanë të pamundur të komunikojnë me pjesën tjetër të vendit. E njëjta situatë paraqitet edhe në Komunën e Dajçit dhe fshatin Obot, ku rrugët kryesore janë bërë plotësisht të pakalueshme nga automjetet e ulëta, madje dhe ato të tonazhit të rëndë shfaqin vështirësi në qarkullim. Nga të dhënat e raportuara nga Shtabi i Emergjencave Civile rezulton se janë të kalueshme vetëm për mjetet e larta akset rrugore nga kthesa e Dajçit deri tek ura e Shirqit, aksi rrugor i Gorricës dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek ura e “Gjo Lulit”.

Tokë e përmbytur

Sipërfaqja e tokës së përmbytur, sipas informacioneve të marra nga krerët e njësive vendore dhe Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, llogaritet të jetë 6300 hektarë tokë bujqësore. Ndërkaq 74 shtëpi rezultojnë të përmbytura nga uji, ndërsa 805 të tjera janë të rrethuara nga uji. Për momentin, nga zonat e përmbytura janë evakuuar 308 banorë, ndërkohë që 93 familje të Komunës së Dajçit lëvizin nga shtëpitë e tyre në mënyrë periodike sipas situatës që krijohet nga lëvizja e nivelit të ujërave.
Ndërkaq, prefekti i Qarkut të Shkodrës, Nexhit Cungu, i cili është edhe shefi i Shtabit të Emergjencës Civile, në një komunikim me mediat është shprehur: “Në Komunën e Dajçit, në fshatrat Daragjat dhe Shirq, po vazhdojnë punimet për përforcimin e argjinaturave me thasë me rërë. Strukturat e Forcave të Armatosura po shpërndajnë me anë të varkave ndihma ushqimore dhe koncetrate në fshatrat Obot dhe Gorricë në Komunën Ana e Malit dhe në Komunën Dajç. Ndërkohë edhe në ças, Velipojë, strukturat e ushtrisë me katër mjete, një ekskavatorë dhe një fadromë në bashkëpunim me Drejtorinë e Bordit të Kullimit vazhdojnë punimet në përforcimin e argjinaturës”. Më tej, prefekti ka garantuar se në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës vijon puna për përballimin e problemeve të krijuara dhe menaxhimin e situatës. “Strukturat e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit janë të angazhuara për evakuimin dhe transportimin e banorëve, për përforcimin e argjinaturave dhe për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe koncentrateve për bagëtinë”, ka nënvizuar kreu i Prefekturës së Shkodrës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›