Çahet rruga, kaos në aksin Vlorë-Skelë
çarja e rrugës në aksin Vlorë-Skelë ka shkaktuar kaos në qarkullimin e automjeteve në qytetin e Vlorës. Rruga është çarë në një pjesë të konsiderueshme të saj, si pasojë e presionit të ujit në tubot e reja të vendosura nga Ndërmarrja e Ujësjellësit. Provat e bëra nga firma që ka fituar projektin për shtrirjen e rrjetit të Ujësjellësit në Vlorë, kanë bërë që rruga kryesore të çahet ndjeshëm, madje të rrezikohet edhe një automjet që po kalonte në atë pjesë të aksit. Për pasojë, segmenti rrugor pranë shkollës industriale është bërë i pakalueshëm për disa orë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur drejtuesit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, drejtuesit e Ujësjellësit dhe përfaqësues të firmës që po kryen punimet. Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Ertel Shehu, ka sqaruar se çarja e rrugës ka ardhur si pasojë e provave të Ujësjellësit, që sipas tij është e zakonshme. “Presioni i ujit shkaktoi çarjen e rrugës”, ka nënvizuar Shehu. Ndërkohë drejtori i Ujësjellësit në Vlorë, Viron Hysi, ka pohuar se shkak i çarjes së rrugës ka qenë presioni i ujit, ndërkohë që ka garantuar se do të ndërhyhet menjëherë për normalizimin e situatës dhe rehabilitim tërësor të rrugës. Por me gjithë tonet optimiste të dy drejtuesve lokalë, qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve në këtë rrugë kryesore të qytetit që prej mesditës së djeshme është bërë problematike. Kjo nuk është hera e parë që shtrimi i tubove të Ujësjellësit që po bëhet në Vlorë të jetë shqetësim për banorët e Vlorës. Gati 90% e rrugëve të Vlorës janë të amortizuara, si pasojë e hapjes së kanaleve nga firma që ka fituar tenderin për shtrimin e rrjetit të kanalizimeve.
#