E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata “Obama” do mbështesë reformat e qeverisë “Berisha”

Kryeministri Sali Berisha takon Zëvendëspresidentin e SHBA-ve Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, me të cilët konfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve. Zv/presidenti Bajden garantoi mbështetjen për kursin reformator të qeverisë së Tiranës dhe premtoi se në një kohë të shpejtë do të vizitonte Shqipërinë. I njëjti angazhim u shpreh edhe në takimet me kryeparlamentaren Nensi Pelozi, me senatorin Mekein dhe zv/sekretarin e Pentagonit, Gordon England

WASHINGTON D. C. - “Administrata e re amerikane, do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese”.
Ky ka qenë vlerësimi që Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, i ka shprehur, Kryeministri Sali Berisha, në takimin e djeshëm midis tyre në Washington.
Në fillim të takimit, Kryeministri shqiptar Sali Berisha i shprehu Zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden mirënjohjen e thellë, kënaqësinë e veçantë dhe nderin e madh për mundësinë që iu dha për të takuar një mik të vyer të Shqipërisë dhe shqiptarëve. 
Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti amerikan Biden u shpreh me ndjenja të përzemërta për këtë takim dhe tha se ndihej i nderuar që ishte mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. “Administrata e re amerikane, u shpreh Zëvendëspresidenti amerikan, do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese”, u shpreh Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden.
Kryeministri Berisha, duke vlerësuar lart rolin dhe aktivitetin e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, e ftoi atë për një vizitë në Shqipëri, duke u shprehur se kjo vizitë do të ishte një kënaqësi shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga Zëvendëspresidenti amerikan.

Takimi me John McCain
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Senatorin e njohur John McCain, kandidat presidencial në zgjedhjet e fundit presidenciale. Senatori McCain është një nga anëtarët më aktivë të Kongresit amerikan në mbrojtje të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare.
Në këtë takim, Kryeministri Berisha e falënderoi Senatorin McCain për pritjen e rezervuar, si dhe për gjithë përpjekjet dhe kontributin në dobi të çështjes shqiptare.
Më pas, Kryeministri Berisha e njohu McCain me procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe me reformat e qeverisë që ndikuan në përshpejtimin e këtij procesi.
Pas pasqyrës së zgjeruar të bërë nga Berisha për luftën ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit, reformat ekonomike, shndërrimin e imazhit të Shqipërisë në një vend tërheqës dhe i sigurt për investimet e huaja, Senatori McCain vlerësoi sukseset e qeverisë shqiptare dhe reformat e qeverisë si shumë mbresëlënëse.
Biseda u përqendrua edhe në çështjen e Kosovës. Senatori McCain është një mbrojtjes dhe luftëtar i kësaj çështjeje.
Kryeministri Berisha dhe Senatori McCain ndanë pikëpamje të njëjta edhe për sa i përket të ardhmes së zgjerimit të aleancës së NATO-s, misionit në Afganistan, etj..
Në përfundim të takimit, McCain, duke vlerësuar punën e Kryeministrit Berisha, shprehu bindjen se në të ardhmen marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë e qeverisë shqiptare do të jenë më të afërta.  
 
Takimi me Nancy Pelosin
Gjatë qëndrimit në Washington, Kryeministri Berisha, takoi edhe Spikeren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.
Kryeministri Berisha i  shprehu zonjës Pelosi mirënjohjen e madhe për ndihmën dhe mbështetjen që Kongresi Amerikan i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, në rrugën e integrimit të saj në NATO dhe  në suksesin e reformave të ndërmarra në vend.
Nga ana e saj, Spikerja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi, u shpreh e kënaqur  që takohej me Kryeministrin Berisha, ndërsa garantoi thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në vazhdim.  Nancy Pelosi shprehu interes për reformat integruese të Shqipërisë.
Pas ftesës së bërë nga Kryeministri Berisha, shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, vend për të cilin nuk i ishte dhënë mundësia më parë për ta vizituar.

Takimi me Gordon England
“Shqipëria do të jetë anëtare e denjë dhe partner serioz i Aleancës së Atlantikut të Veriut”. Këtë garanci Kryeministri Sali Berisha e mori nga Zëvendëssekretari i Mbrojtjes së SHBA-së  Gordon England, me të cilin pati një takim.
Gjatë takimit që u zhvillua në frymë të ngrohtë e tepër miqësore,
Zëvendëssekretari Mbrojtjes England shprehu kënaqësinë tij për sukseset e Kryeministrit Berisha, seriozitetin dhe përkushtimin me të cilin po drejtohen këto reforma.
Kryeministrit Berisha falënderoi England për punën dhe angazhimin institucional dhe personal të tij për ta parë Shqipërinë sa më parë anëtare të aleancës më të fuqishme të globit, NATO.
Më tej Berisha e njohu nga afër zyrtarin e lartë amerikan me punën dhe përpjekjet e pandërprera të qeverisë shqiptare, që deri në momentin e fundit të anëtarësimit në prill 2009, do të punohet me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, për të merituar dhe për t’u prezantuar me dinjitet përpara vendeve anëtare te të NATO-s.
Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit janë beteja me të cilat qeveria shqiptare ndeshet dita ditës, por me gjithë rezultatet e mëdha, akoma edhe më të mëdha janë përpjekjet e qeverisë për të thelluar më tej këto rezultatet, vijoi më tej Kryeministri.
 
Takimi me Donald Rumsfeld 
Në vazhdën e takimeve me figura të nderuara të administratës dhe politikës amerikane, Kryeministri Sali Berisha u takua me ish Sekretarin e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, një mik dhe mbështetës i integrimit të Shqipërisë në NATO.
Në fillim të fjalës së tij z. Berisha përshëndeti ish sekretarin e Mbrojtjes Rumsfeld për kontributin e tij të çmuar në dobi të integrimit të Shqipërisë në NATO.
Kryeministri Berisha e njohu Rumsfeld me procesin e integrimit të vendit në NATO, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përshpejtimin e këtij procesi, si dhe ritmin e lartë për të merituar plotësisht anëtarësimin në Aleancë.
“Anëtarësimi në NATO, theksoi Kryeministri Berisha, do të thotë për Shqipërinë rikthim në gjirin e kombeve të lira, në dinjitetin dhe bashkësinë demokratike, por, gjithashtu, edhe një stad më të lartë të rritjes ekonomike, për të cilën qeveria që unë drejtoj po punon pa u ndalur. Reformat ekonomike e kanë dhënë efektin e tyre, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja. Rezultati i luftës kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit bëri të mundur mes të tjerash një buxhet më të lartë për Forcat e Armatosura, duke synuar në të ardhmen rritjen e mëtejshme të tij”, theksoi Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, Rumsfeld vlerësoi punën e Kryeministrit Berisha dhe suksesin e reformave, duke e evidentuar Shqipërinë si një vend me tregues pozitivë në rajon.

Takimi me William Cohen
Kryeministri Berisha pritet nga Presidenti i kompanisë së fuqishme të konsulencës “Cohen Group”, ish Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes William Cohen 
Në këtë vizitë, William Cohen shoqërohej nga ish drejtues të lartë dhe të njohur të Departamentit të Mbrojtjes si ish- Zëvendësasistenti i Sekretarit të Mbrojtjes, Daniel Fata, General Joseph Ralston, Admiral James Loy,  LTG Harry Raduege,  BG Maria Owens etj., të cilët ndoqën me interes takimin.
Në përgjigje të interesimit të lartë të bashkëbiseduesve, Berisha parashtroi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të arritur standardet e NATO-s, nëpërmjet modernizimit të ushtrisë shqiptare, rritjes së buxhetit  për Forcat e Armatosura, etj...
Duke i prezantuar reformat e qeverisë së tij për një integrim të shpejtë e të sigurt në NATO dhe BE, Kryeministri Berisha u përqendrua në rezultatet e luftës ndaj krimit të organizuar  dhe korrupsionit, të cilat po bëjnë të mundur anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO. Kjo luftë dyfishoi numrin e turistëve verën e shkuar, duke arritur në dy milion, si një shenjë për atraktivitetin që ofron bregdeti shqiptar.
Ish-Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, William Cohen vlerësoi punën e qeverisë Berisha dhe sukseset e reformave të ndërmarra. Ai u shpreh se Shqipëria ka bërë progres domethënës dhe se e meriton plotësisht anëtarësimin në NATO, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë e qeverisë shqiptare do të thellohen akoma më shumë në të ardhmen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›