E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri pyetje gazetarit Bilefsky

Reagimi

Pas shkrimit të botuar në "New York Times", 10 korrik 2008

Sipas gazetës "New York Times" të para disa ditëve, Shqipëria e pas viteve ’90 është një vend ku gjakmarrja vepron “si hakmarrjet e mafies në Jug të Italisë dhe dhuna hakmarrëse mes familjeve shiite dhe sunite në Irak”. Në Shqipëri qarkullojnë me shumicë vrasës vullnetarë e “vrasës profesionistë me pagesë”, prandaj regjistrohen rreth 30 000 të vrarë ose të ngujuar për gjakmarrje (“9 500 të vrarë”, “20.000 të ngujuar”). Shqiptarët vrasin njëri-tjetrin në respekt të Kanunit të tyre, në të cilin “kanë ende besim ... më shumë sesa të sistemi i drejtësisë”. Sipas autorit të shkrimit, gjakmarrjet mund të lindin edhe nga keqkuptime të vogla (“Dhjetëra meshkuj ishin detyruar të izoloheshin pasi një anëtar i familjes së tyre kishte vrarë shitësin që nuk pranonte t'i shiste fëmijës së tij një kaush akulloreje... (apo sepse) delja e një familjeje kishte kullotur në pronën e fqinjës së saj, gjë që nxiti një konfrontim vdekjeprurës”).

Me fraza të tilla është paraqitur Shqipëria në artikullin me titull “In Albanian Feuds, Isolation Engulfs Families”, botuar në "New York Times", më 10 korrik nga gazetari Dan Bilefsky. Ai shkrim u ribotua të nesërmen pa asnjë koment në gazetat kryesore të Tiranës me dy tituj “Gjakmarrja në Shqipëri, 17-vjeçari i ngujuar: Kanuni një idiotësi” (Gazeta Shqiptare) dhe “Sherret shqiptare që gllabërojnë familjet në izolim” (Panorama).

Dan Bilefsky të lë përshtypjen se ka qenë në Shqipëri, madje se ka takuar në Shkodër një 17-vjeçar të ngujuar, Kristian Luli, të cilin e citon së bashku me të ëmën. Citohet edhe një i ngujuar tjetër, një 62-vjeçar me emrin Sherif Kurtaj. Po t’i besojmë një lajmi në internet shkruar nga Nertil Shtrezi, me titull “Kanuni ndjek shqiptarët edhe përtej oqeanit”, publikuar në të njëjtën datë dhe për të njëjtët persona të ngujuar, atëherë të dy (Kristian Luli dhe Sherif Kurti) ose janë shqiptarë me banim në Amerikë që kanë shkuar atje nga rrethinat e Shkodrës ose janë personazhe të trilluar, që nuk ekzistojnë gjëkundi.

Pavarësisht kësaj, pyetja e parë që më vjen në mendje formulohet: a është ky imazhi i vërtetë i Shqipërisë, duke shtuar edhe konkluzionin kategorik të Dan Bilefskit: “një vend i dëshpëruar dhe i varfër që po përpiqet shumë të ruajë rendin dhe të zbatojë ligjin”?

Nuk do ta bëja këtë pyetje nëse nuk do të më shkonte mendja se, meqenëse bëhet fjalë për shqiptarët e Amerikës, autori i shkrimit duhej të konkludonte pak a shumë kështu: Amerika është një vend jo i dëshpëruar dhe i pasur që nuk po përpiqet shumë të ruajë rendin dhe të zbatojë ligjin, së paku, për komunitetin shqiptaro-amerikan. Kjo, sepse sipas artikullshkruesit, shqiptarët e ardhur në Amerikë na qenkan bartës të një ndërgjegjeje primitiviste, të një kushtetute popullore, si është Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili u bën karshillëk qytetërimeve euro-amerikane kudo ku jetojnë shqiptarë. Madje, arsyetimi mund të shkonte edhe më tej. T’i shpallej luftë Kanunit shqiptar ose të përfshiheshin në listat e zeza gjithë të ardhurit në SHBA që kanë lidhje me Kanunin e Lekë Dukagjinit, njësoj si të dyshuarve për terrorizëm.

Këndej buron pyetja e dytë: a është vërtetë Kanuni i Lekë Dukagjinit një atavizëm barbarie ndër shqiptarë, si u konsiderua gjatë viteve të diktatorit, për të cilën Dan Bilefski shkruan “që e nxori jashtë ligjit këtë praktikë (vrasjen për Kanun), ndonjëherë edhe duke i varrosur të gjallë ata që nuk bindeshin mu në varret e viktimave të tyre?” Kjo pyetje shtrohet, pikërisht sot, kur intelektualë të shquar shqiptarë, të dalë nga gjiri i popullit të tyre, nuk kanë arritur të përvijohen në përcaktimin e identitetit të vet kombëtar. As institucionet shkencore e akademike shqiptare, të ngarkuara me reformat e tranzicionit, nuk kanë mundur t’u japin dum debateve për historinë nacionale dhe rishkrimin e saj. Në këto rrethana kushdo ka mundur të thotë çfarëdo. Edhe një gazetar që e sheh me dylbitë e s’di se kujt Shqipërinë dhe trashëgiminë e saj kulturore mund të arrijë në konkluzione sensacionale sa të shkruajë se diku në Evropë paska zbuluar një popull që vetëvritet në mënyrë masive dhe për hiçmosgjë. Aq më tepër kur ky vend sapo ka marrë ftesën për në NATO dhe aspiron anëtarësimin e shpejtë në BE. Madje, sapo është krijuar edhe një shtet i ri me shumicë këtë soj populli: Kosova.

Pyetja e tretë lidhet me mediat që e (ri)botuan artikullin në fjalë pa asnjë koment: A besojnë vërtetë gazetarët shqiptar (dhe të New York Times-it) se Kanuni i Lekë Dukagjinit ka aq forcë sa t’i bëjë karshillëk organeve të drejtësisë në SHBA apo në çdo vend tjetër të botës ku jetojnë shqiptarë, përfshirë edhe Shqipërinë? Në këtë pyetje është shmangur fjala gjakmarrje apo zakoni i gjakdedhjes dhe kanuni i shqiptarëve është përcaktuar me të vetmin kanun që njihet shkencërisht me emrin e Lekë Dukagjinit, emërtim të cilin Dan Bilefski nuk e zë në gojë, ndoshta, rastësisht. Gjakmarrja në Kanunin e Lekë Dukagjinit nuk ka qenë ndonjëherë hakmarrje kaubojsish. Nuk ka qenë në asnjë rast as harakiri samurajsh. “Gjaku shkon për gjak” është një ndër nenet e kanunit për të parandaluar gjakderdhjet, përfshirë në kapitullin “Kanuni kundër mbrapshtive”. Tashmë kjo pjesë e historisë sonë kulturore është rishkruar. Kanuni i Lekë Dukagjinit është një nga monumentet më të rëndësishëm të kulturës sonë kombëtare. Ai Kanun ka vepruar me tepër se pesë shekuj, për sa kohë shqiptarët nuk kishin ligjet e tyre të shkruara dhe nuk iu nënshtruan administrativisht atyre që iu imponuan me ligje të tjera: si Sheriati i Perandorisë Osmane, statutet e Venedikut dhe ligjet genocide të sllavo-serbëve të Ballkanit, të cilët nisin me kodikun e Car Dushanit (shek. XIV) për të përfunduar në dekadat e fundit të shek. XX me platformat antishqiptare të Millosheviçëve. Kanuni i Lekë Dukagjinit është tregues i rezistencës kulturore të shqiptarëve ndër shekuj. Por jo vetëm kaq. Ai është njëkohësisht edhe dëshmi e qytetarisë së tij: shqiptarët kanë ditur të jetojë me ligjet e veta të trashëguara brez pas brezi edhe në kushtet më të pafavorshme të ekzistencës së tyre. Pas krijimit të shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, asnjë qeverisje nuk mund të justifikojë paaftësitë e veta juridiko-administrative, duke penalizuar Kanunin e Lekë Dukagjinit, qoftë edhe për rastet e vetëgjyqësisë që nuk mungojnë as në vendet me sisteme juridike më të përparuar kudo në glob. Ndërsa për rastet e ngujimeve, që përmend gazetari Dan Bilefski, qofshin në rrethinat e Shkodrës apo kudo në Shqipëri, qofshin në Amerikë, është absurde të justifikohen për shkak të çfarëdo lloj kanuni apo ligji tjetër, të shkruar a të pashkruar. Shteti kujdeset dhe i ka në mbrojtje shtetasit e vet, aq më tepër kur u kërcënohet jeta si ndodhka me 17-vjeçarin Kristian Luli dhe 62-vjeçari Sherif Kurtaj. Përndryshe, kudo qoftë, ai shtet është inekzistent.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›