E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i klandestinëve, mes të arrestuarve edhe prifti i Karavastasë



Kalimi kundrejt shumës 3500 euro personi, destinacioni, pas Greqisë në Itali

Policia greke nis hetimin për përfshirje të efektivëve të saj në trafik

E rrallë dhe në të njëjtën kohë e padëgjuar ndonjëherë në historinë e arrestimeve të policisë shqiptare. Një prift i zhytur keqazi në rrjetin e trafikantëve, duke bërë të mundur pajisjen me dokumenta dhe trafikun drejt Greqisë me destinacion përfundimtar Italinë të mjaft shtetasve dhe në fund me urimin “Zoti ju Bekoftë!”. Kjo ka qenë ndihma që jepte prifti për mjaft klandestinë, i ndihmuar edhe nga tre efektivë të Policisë kufitare të Kapshticës dhe 6 shtetas të tjerë miq të tij, këta të fundit të arrestuar bashkë me priftin gjatë orëve të natës duke u gdhirë dita e djeshme nga SHKB-ja në bashkëpunim me Task-Forcë. Akuza që rëndon mbi ta është trafiku i klandestinëve me destinacion Greqinë, kundrejt shumave të konsiderueshme. Dyshohet se në këtë rrjet janë përfshirë edhe polici grekë të kufirit, për të cilët kanë nisur menjëherë hetimet nga pala greke. Mësohet se operacioni është shtrirë në katër qytete të vendit, ndërkohë që bilanci i arrestimeve të deritanishme është 10 persona, të gjithë të transferuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sipas një deklarate për shtyp nga Policia e Shtetit, gjatë operacionit të organizuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Task-Forcë kundër trafiqeve të paligjshme pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe skuadra e Antikrimit Ekonomik kanë rënë në pranga tre punonjësit e policisë, prifti dhe 6 persona të tjerë, të cilët, po sipas policisë, ishin trafikantë dhe shoqërues të klandestinëve. Nga hetimet e para mësohet se trafikantët kalonin emigrantë klandestinë nga pika doganore e Kapshticës për në tokën greke dhe më pas drejt Italisë, i cili ishte dhe destinacioni përfundimtar i klandestinëve. Sipas policisë, klandestinët kalonin në tokën helene me dokumente false kundrejt një shume prej 3500 euro personi. Mësohet se edhe shteti helen ka nisur hetimet në lidhje me këtë trafik klandestinësh, pasi dyshohet se në këtë trafik klandestinësh janë implikuar dhe policë greke të pikës doganore të Kapshticës. Gjithashtu policia helene ka ndërmarrë një operacion për arrestimin e një personi të implikuar në këtë organizatë. Të arrestuarit janë me precendentë penalë dhe ndodhen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku po merren në pyetje për të zbardhur skemën e plotë të trafikut të klandestinëve.

Operacioni

SHKB në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë të Qarqeve Tiranë, Korçë, Fier dhe Vlorë, përfunduan me sukses operacionin e koduar “Korridor i lirë”, duke vënë në pranga shtetasit Leonard Belortaja, 32 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me arsim të mesëm, me punë shofer, Artur Likollari, 42 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me arsim të mesëm, me punë shofer, Altin Qatipi, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim 8-vjeçar, me punë shofer, Edmond Tollkuçi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me arsim 8-vjeçar, Manol Xhamia, 48 vjeç, lindur dhe banues në Bilishtë, me arsim 8-vjeçar, me punë shofer, Ilir Çipi, 38 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me arsim të mesëm, me punë në sektorin privat, si dhe Mihal Shuli, 47 vjeç, lindur dhe banues në Lushnje, me arsim të lartë, prifti i fshatit në Karavasta. Gjithashtu, në pranga kanë rënë një oficer dhe dy punonjës të Policisë Kufitare, Ismet Rroqi, 29 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, Sefer Çollaku, 50 vjeç, me detyrë kontrollor në pikën e kalimit kufitar Kapshticë dhe Rajmondi Duro, 40 vjeç, me detyrë kontrollor në pikën e kalimit kufitar Kapshticë. Sipas burimeve zyrtare policore, ndalimi i tyre u bë mbi bazën e urdhrave të ndalimit të Prokurorisë Task-Forcë për veprat penale të “Korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike”, “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi”, “falsifikim i pasaportave, vizave, formularëve”, “falsifikim i vulave, i stampave ose formularëve”, “prodhim i mjeteve për falsifikim dokumentesh” të kryera në bashkëpunim, vepra penale të parashikuara nga nenet 244, 298, 186, 189, 190, 191, 192 dhe 25 të Kodit Penal.

Hetimi

Nga hetimet disamujore nën drejtimin e Prokurorisë Task-Forcë të Krimit Financiar dhe Korrupsionit, duke përdorur metodat speciale të hetimit, ka rezultuar se ky grup funksiononte për një periudhë të gjatë kohe si një rrjet i mirëorganizuar për kalimet e shtetasve shqiptarë nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në Itali. Burime zyrtare policore bënë të ditur se aktualisht është bërë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale që këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me punonjës të Policisë të Pikës së Kontrollit të kalimit Kufitar në Kapshticë, realizonin kalimin në mënyrë të paligjshme të shtetasve të ndryshëm nga territori i Republikës së Shqipërisë për në territorin grek, ku përfitimet nga ky aktivitet shkonin deri në 2000 euro për çdo person. Gjatë kryerjes së këtij aktiviteti, personat e arrestuar falsifikonin dokumente të ndryshme si pasaporta, viza, certifikata, leje qëndrimi e çdo lloj dokumenti tjetër që u nevojiteshin. Pas arrestimit të këtyre shtetasve, gjatë kontrollit të banesave të tyre, u gjetën dokumente shkresore që vërtetojnë plotësisht aktivitetin e tyre kriminal, si pasaporta, kompjuterë, certifikata personale dhe familjare në emër të personave të ndryshëm, fotografi e dokumente të tjera të falsifikuara. Gjithashtu, janë sekuestruar 6 automjete që përdoreshin nga këta persona për kontrabandimin e shtetasve të ndryshëm jashtë territorit shqiptar, 20 pasaporta, 12 celularë etj. Ndërkohë, përfundojnë burimet zyrtare policore, vazhdon hetimi për zbardhjen e plotë të këtij trafiku, ndërkohë që edhe pala greke vijon hetimin për përfshirje në këtë trafik të efektivave të Policisë Kufitare greke.

Të arrestuarit

1. Leonard Belortaja, 32 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me arsim të mesëm, me punë shofer.

2. Artur Likollari, 42 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me arsim të mesëm, me punë shofer.

3. Altin Qatipi, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim 8 vjeçar, me punë shofer.

4. Edmond Tollkuçi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me arsim 8-vjeçar.

5. Manol Xhamia, 48 vjeç, lindur dhe banues në Bilisht, me arsim 8-vjeçar, me punë shofer.

6. Ilir Çipi, 38 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me arsim të mesëm, me punë në sektorin privat.

7. Mihal Shuli, 47 vjeç, lindur dhe banues në Lushnje, me arsim të lartë, prifti i fshatit në Karavasta.

8. Ismet Rroqi, 29 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në pikën e kalimit kufitar Kapshticë.

9. Sefer Çollaku, 50 vjeç, me detyrë kontrollor në pikën e kalimit kufitar Kapshticë.

10. Rajmondi Duro, 40 vjeç, me detyrë kontrollor në pikën e kalimit kufitar Kapshticë.

Akuzat

“Korrupsioni pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike”

“Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi”

“Falsifikim i pasaportave, vizave, formularëve”

“Falsifikim i vulave, i stampave ose formularëve”

“Prodhim i mjeteve për falsifikim dokumentesh” të kryera në bashkëpunim, vepra penale të parashikuara nga nenet 244, 298, 186, 189, 190, 191, 192 dhe 25 të Kodit Penal

Detaj

3500 euro kërkonin trafikantët për çdo person që do kalonin drejt shtetit fqinj të Greqisë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›