E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri violinat që heqin kufijtë

Mbrëmjen e kaluar përfundoi në Durrës Festivali III Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, i cili u organizua nga shoqata “Arti dhe kultura italo-shqiptare” dhe u mbështet nga Bashkia e Durrësit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MTKRS), ambasadat e Austrisë dhe Maqedonisë, si dhe rajoni i Puljas (Itali).

Në koncertin që mbylli këtë festival, u ngjit në skenë Trioja e Harqeve të Kosovës - violinistja Sihana Badivuku, violinisti Blerim Grubi nga Shkupi dhe violonçelisti nga Tirana Aristidh Prosi. Tre instrumentistët që vijnë nga përvoja të ndryshme muzikore në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, interpretojnë së bashku që nga viti 2003. Mbrëmjen e kaluar trioja e harqeve u paraqit me variacione nga Valton Beqiri, trio nga Franz Shubert dhe trio nga L. V. Beethoven. Artdashësit durrsakë dhe tiranas që kishin mbushur hollin e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” vlerësuan me duartrokitje interpretimin profesional të artistëve të njohur si dhe pjesët e programit që ata kishin përzgjedhur.

Nevila Kalaja, drejtore artistike e festivalit, tha se gjatë edicionit të tretë, që u zhvillua nga 3-15 shtator, u organizuan pesë koncerte instrumentale. Artistë nga Franca, Maqedonia, Austria, Kosova, Italia dhe Shqipëria interpretuan së bashku si solistë dhe në formacione të ndryshme. Larmia e veprave të kompozitorëve të tre shekujve të fundit, si dhe përvojat e ndryshme që artistët shqiptarë dhe të huaj sollën para publikut, janë veçantitë kryesore të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, që organizohet për të tretin vit radhazi në qytetin bregdetar të Durrësit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›