E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjetime provinciale

Në tablonë “Wine Day”, piktori Anastas Konstantini prezanton vetveten në qilarin e verës dhe rakisë. Ai gjendet në dehjen mes natës dhe ditës. Janë rreth 21 vepra të prezantuara në një ekspozitë, dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve të piktorit të njohur Anastas Kostandini apo siç njihet ndryshe me emrin e artit, Taso. “Dita e Verës” është titulluar ekspozita e tij, i cili kërkon të njohë shikuesin me përjetimet provinciale dhe komike nga krahina e tij, Pogradeci. Ndërkohë që veprat e prezantuara janë në teknikë vaji dhe akriliku

“Wine day” është quajtur ekspozita e çelur dje nga ju, a mund të na rrëfeni më shumë rreth ndërtimit të saj?

Ekspozita ka 21 punime dhe jo 40 siç ishte menduar fillimisht. Nuk e kisha parashikuar që salla e Galerisë Kombëtare të Arteve të mos i zinte të gjitha, dhe për këtë janë reduktuar në maksimum pikturat. Por u pa e nevojshme edhe krijimi i kushteve pak më komode dhe sigurisht për t’u vënë në dukje edhe më mirë. Ekspozita nuk është e ndërtuar me pjesë të pavarura, apo më saktë me tablo të pavarura nga njëra-tjetra. Megjithëse janë të ndryshme, këto tablo mes tyre kanë një lidhje shumë të madhe dhe kjo është arsyeja që unë i vura një titull. Lidhja mes tyre qëndron tek tema e përjetimit të një jete në një ekstrem të Shqipërisë, në një provincë, në një fshat, qytet, apo periferi dhe jo në qendër të vendit. Është si një dëshirë për të bërë një “weekend”, për të shkuar në fshatin tënd. Kërkon një dimension shumë të ngrohtë, të rikujtohen shumë gjëra apo edhe të zgjohet një kujtim. Aq më tepër takon edhe miqtë e vjetër, pi me ta edhe ndonjë gotë dhe kështu mund të futesh në një realitet tjetër. Unë mendoj se ekspozita ime e provokon një gjë të tillë. Në ekspozitën time ka edhe një element të lirizmit. Është fjala për lirizmin e natyrës. Natyra është e pjesshme këtu, sepse sundon interieri (pjesë dhome, qilari, apo një pjesë e një qyteti) dhe simbolika e sendeve. Në përgjithësi nuk janë thënë me ndonjë gjuhë natyraliste, por janë realiste, ku të gjitha këto elemente ndërthuren me njëra-tjetrën.

Pse e keni titulluar “Wine Day”?

Kjo është një ekspozitë që unë e kam quajtur “Wine Day”, pasi nuk gjetëm ndonjë fjalë në shqip që ta thotë menjëherë kuptimin e saj. Sipas meje, kjo lidhet me kremtimin e një feste të verës. Është një traditë e lashtë në qytetin tim, në Pogradec ku unë jetoj. Madje organizohet edhe një festë që organizohet nga bashkia në prag të Vitit të Ri dhe i gjithë populli është i përfshirë në të, madje nuk mungojnë edhe rastet kur njerëz të tjerë nga rrethet vijnë dhe festojnë me ne. Quhet festa e verës, mirëpo kisha shumë frikë se mos do të ngatërrohesha me festën e verës në periudhën e pranverës. Kjo është arsyeja që ia vura “Wine Day”.

Është kjo një simbolikë për të kremtuar?

“Wine Day” nuk ka thjesht një kuptim të thatë, por ka edhe një kuptim simbolik pasi njeriu është në qejf, dhe pasi ka pirë është në botën e të kremtuarit. E shikon realitetin me një sy tjetër, me një sy edhe më të bukur e më komik. Mund të pretendojë një të ardhme edhe më të ekzagjeruar në krahasim me rastin kur personi është esëll, kështu që në një farë mënyrë përcjell një dehje të qytetit. Më kanë ardhur në ndihmë shumë figura që lidhen me historinë, episode interiere, evokohet një botë e dikurshme që lidhet pak edhe me Mirush Kutelin. Një shkrimtar shumë i madh i qytetit tim, pra Pogradecin dhe unë jam influencuar prej tij. Shumë shkrime të tij përpiqem jo t’i imitoj, por përpiqem më mirë le të themi t’i ilustroj dhe t’i përçoj ato nëpërmjet pikturë sime, sepse kemi përputhje të tilla dhe thuhen gati të njëjtat gjëra.

Është ky një intimitet që ta ofron provinca?

Po ky është qëllimi i strukturës, për të krijuar një intimitet që ka provinca, atë organizitetin e të jetuarit në vendlindje, atje ku të gjithë kanë edhe një farë dëshirë për tu rikthyer tek vatra e parë, atje ku kanë jetuar dhe unë pothuajse këtë gjë kam dashur të tregoj. Një nostalgji për t’u rikthyer në zanafillën më të mirë të çdo njeriu. Më duhet që të dal pak nga gjuha ime dhe të formoj kontekstet letrare që të shpjegohem, sepse jam i detyruar që ta bëjë këtë gjë.

Çfarë periudhe i përkasin këto piktura? Të gjitha pamjet janë shkëputur nga periferia e vendlindjes suaj, Pogradeci?

Këto nuk janë piktura apriori, realiste. Këto janë konceptet e përjetimeve të mia rreth kësaj teme, kështu që nuk mund të them që X pikturë është bërë në një vend të caktuar. Pikturat i përkasin tre-katër vjetëve të fundit. Por një pikturë të tillë mund ta gjesh tek unë edhe më parë. Kësaj radhe unë arrita të krijoj një lloj opusi me këto piktura për të nënvizuar edhe më tepër këtë ide, pasi mendoj se është koncepti bazë i krijimtarisë sime në këtë periudhë. Paralel me këtë ekspozitë kam provokuar edhe të kundërtën e saj. Unë kam bërë një ekspozitë nga një udhëtim i imi në Paris dhe kam paraqitur 100 për qind të kundërtën e kësaj ekspozitë që kam çelur dje. Po këto të kundërtat mua më pëlqejnë duke jetuar maksimumin e emocionit. Pasi unë e mbështes pikturën time në bazë të emocionit, por emocioni është ajo llamba që më orienton në këtë vragën e vështirë të realizimit artistik. Pastaj unë kam përdorur edhe mjetet e modernizuara e jo vetëm ato tradicionale.

A ka një mesazh konkret që keni dashur ta tejçoni në këtë ekspozitë?

Mesazhi është ky që vendi ku jeton është shumë i rëndësishëm dhe ia vlen që në atë vend të krijosh një art të madh. Nuk e di nëse puna ime mund të konsiderohet një hap i madh, por po e përdor këtë koncept për të bërë art të madh.

Cila është muza juaj?

Unë jam i frymëzuar nga shumë gjëra. Fillimisht nga mënyra se si e përjetoj jetën time personale. Përjetoj realitetin e kombit, nuk mund të jem indiferent ndaj kësaj gjëje, kështu që jam i vetëdijshëm që pikturat kanë edhe një element kombëtar, kanë një dimension popullor dhe unë jam pothuajse i maskuar mes njerëzve. Jam pjesë e tyre. Dashuria për natyra është një definicion shumë i lartë për mua si dhe dashuria për artin. Dhe të gjitha këto unë i përcjell nëpërmjet një konvencioni artistik me elementë të pasur të modernizmit në to.

Pas kësaj ekspozite, cili do të jetë hapi juaj i radhës?

Në fakt unë nuk jam shumë i pasur me propozime, dhe sigurisht që unë i shfrytëzoj të gjitha mundësitë që më jepen, madje rezervoj edhe financë për të gjitha këto. Por mua më pëlqen shumë eksperimenti artistik, më pëlqen që të ecin në zona të mirë kontrolluara pa dashur të jenë një produkt fund e kre cerebral. Unë dua të provoj të hap një ekspozitë me objekte arti. Madje, kam filluar dhe e kam ndërtuar gjysmë e saj ku sendi të jetë njëkohësisht edhe një send piktorik, një objekt. Gjuha të jetë e defigurativizuar, por figuracioni dhe kuptimi të jenë brenda saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›