E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji, mjekët do të vizitojnë të moshuarit në shtëpi



Një projektligj që merr në mbrojtje të veçantë të moshuarit pritet së shpejti të kalojë për miratim në Parlament. Të sëmurë me paaftësi fizike për të lëvizur nga shtëpitë e tyre dhe të moshuarit, jo vetëm po braktisen nga fuqitë e tyre, por edhe nga familjarët e shoqëria. Për këtë kategori e vetmja mënyrë kujdesi që siguron shteti është përmes sistemit nëpër azile apo qendra ditore. Por a është e mjaftueshme kjo?

Të paktën sipas një studimi të kryer nga Rrjeti Shqiptar për Moshim të Shëndetshëm, kjo çon të moshuarit gjithnjë e më shumë drejt vetizolimit dhe sëmundjeve. Panorama e kësaj situate do të ndryshojë, pasi për këtë çështje ditën e djeshme është mbajtur një takim nga shoqata shqiptare e Gerontologji-Geriatrisë me shoqata e institucione të rrjetit kombëtar si dhe me ISHP-n. Kryefjalë e takimit ishte aprovimi i draft-raportit lidhur me vlerësimin e gjendja social- ekonomike dhe shëndetësore të moshuarve në Shqipëri.

Projektligji

Pas përfundimit dhe diskutimit të tij mes grupeve të interesit, projektligji që merr në mbrojtje të drejtat e të moshuarve pritet që të kalojë për miratim në parlament. Kryetar i Shoqatës Gerontologji-Geriatrisë, z. Reshat Koçi, sqaroi për “standard” ndryshimet që do të sjellë ky projektligj.

“Projekti ligji i ri është propozuar fillimisht nga një grup politik dhe me përfaqësues të shoqatave që merren me moshën e tretë dhe me shoqatën tonë. Duhet detyrimisht që të ketë një legjislacion që të mbrojë të drejtat e kategorisë së të moshuarve”, - është shprehur z. Koci.

Ndër problematikat më të mëdha të kësaj kategorie është mungesa e përkujdesit shëndetësor në shtëpi, ndërkohë që përmes këtij projektligji moshës së tretë i garantohet vizita mjekësore në shtëpi. Kryetari i shoqatës Gerontologji-Geriatrisë, z. Reshat Koçi, shpjegon se këtij problemi i jepet zgjidhje me ligj, duke u siguruar shërbim mjekësor në familje.

Qendrat ditore

Përkujdesje për të moshuarit në vendin tonë ofrohet përmes qendrave ditore dhe azileve. Por duke parë trendin e vendeve të tjera, vihet re se kjo mënyrë nuk është ndër më optimalet, ndaj dhe kjo shoqatë, në bashkëpunim me grupet që kanë hartuar projektligjin, kanë parashikuar hapjen e disa qendrave që të ofrojnë qëndrim jo vetëm për disa orë, por edhe të heqin sistemin e qëndrimit e tyre në azile.

“Ne jemi kundër mbylljes së tyre në azile, e gjitha bota po lufton tani që moshuarit të mbahen sa më shumë pranë familjes, t’u sigurohet shërbimi social dhe mjekësor në familje, sepse dërgimi i tyre në vendet izoluese, siç janë azilet, bënë që të deprimohen e të bien në depresion”, - shprehet kryetari i shoqatës Gerontologji-Geriatrisë, z. Reshat Koçi. Nga studime që kanë bërë autorë të ndryshëm kanë vërejtur se ka efekte shumë negative dhe po i kthen azilet në qendra ditore, rezidenca ku rrinë të moshuarit për një kohë të caktuar.

Ylli: Të krijohet mundësia për shërbim mjekësor në shtëpi

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, cilëson se ky projektligj i vjen mjaft në ndihmë kësaj kategorie, gjithashtu ai shton se për sa u përket mundësive për dërgimin e mjekëve për vizita mjekësore tek të moshuarit, ekziston si alternativë.

“Ne mund të kursejmë nga disa shërbime, që ne i quajmë të kujdesit parësor, duke i zhvendosur ato në një model të shërbimit në familje ose mund të zhvendosim shërbimet të cilat tradicionalisht janë orientuar ndaj disa problemeve si p.sh. sëmundjet infektive, të kalojnë në shërbime për të moshuarit. Mund të ketë një pikë fokale ku organizohet e gjithë puna për t’u dhënë shërbim të moshuarve. Fillimisht, kjo do të ketë një kosto të madhe. Më e rëndësishme është çështja e ndryshimit të tradicionales, ne duhet të ndryshojmë mentalitetin e disa lloje shërbimesh për të marrë një pozicion tjetër”, - shprehet Ylli.

Studimi

Të moshuarit, të varfër, të vetmuar dhe të sëmurë

Rrjeti Shqiptar për Moshim të Shëndetshëm kreu në gjysmën e parë të vitit 2008 një studim me qëllim vlerësimin e kushteve socio-ekonomike, përjashtimin dhe izolimin shoqëror, si dhe gjendjen shëndetësore të individëve të moshuar në Shqipëri. Në studim u përfshinë rreth 1000 të moshuar (të moshës 65+ vjeç) banorë të zonave urbane dhe rurale të Tiranës, Shkodrës dhe Vlorës. Përgjithësisht, 37% e pjesëmarrësve ishin "shumë të moshuar" (të moshës 75+ vjeç) në krahasim me 63% individë të moshës 65-75 vjeç.

Varfëria

Rreth 17% e të moshuarve e konsideronin vetveten si "shumë të varfër" dhe 40% si "të varfër" krahasuar me vetëm 2% të cilët e konsideronin veten si "në gjendje të mirë". U identifikuan rreth 33% e të moshuarve në zona informale dhe në zona rurale që nuk merrnin asnjë pension. Në qytet pothuaj të gjithë të moshuarit e intervistuar merrnin pension. 16% e pjesëmarrësve nuk kishin ujë të rrjedhshëm në shtëpitë apo apartamentet e tyre. Megjithatë, kishte diferenca të mëdha midis zonave: Në zonat informale në Tiranë kjo shifër shkonte në 28%, ndërkohë që në zonat rurale, proporcioni i të moshuarve pa akses në ujë të rrjedhshëm ishte 35%.

Shëndeti

Rreth një e treta e të moshuarve të intervistuar e vlerësuan shëndetin e tyre si të keq dhe/ose jo të mirë. Kjo shifër shkonte në mbi 40% midis të moshuarve që banonin në zonat informale të Tiranës. Shumica dërrmuese (77%) e të moshuarve raportoi të paktën një sëmundje kronike, ku dominonin sëmundjet kardiovaskulare

Ndër arsyet kryesore ishin vështirësitë për përballimin financiar të trajtimit mjekësor (21%). Për më tepër, 69% e të moshuarve raportuan se u kishte ndodhur të mos merrnin mjekimin më të përshtatshëm, për arsye të kostos së papërballueshme.

Izolimi social

Për sa u përket kontakteve shoqërore, një shqetësim i veçantë i dalë nga rezultatet e studimit janë të moshuarit tërësisht të izoluar (3%) të cilët nuk kanë pothuajse fare kontakte me asnjë nga familjarët e tyre, me kushërinjtë apo shokë dhe miq. Duhet theksuar se akoma lidhjet e forta familjare ekzistojnë dhe shumë të moshuar vizitohen nga fëmijët apo familjaret e tyre. Në varësi të kësaj shumë pjesëmarrës raportuan se vizitohen apo të vizitojnë të afërmit e tyre. Familja konsiderohet një pronë e rëndësishme në shoqërinë shqiptare në këtë fazë të tranzicionit të shpejtë ku rrjeti shoqëror dhe ai komunitar po shkojnë drejt shkatërrimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›