E Diel, 1 Nëntor 2026

Triller polak, rusët shpartallojnë Çekinë

Poloni-Greqi 1-1

Polonia dhe Greqia barazuan mes tyre në ndeshjen hapëse të Kampionatit Europian, ndërsa Rusia mundi Çekinë duke bërë një hap përpara drejt çerekfinaleve. Polonia dhe Greqia, në ndryshim nga çfarë sollën minutat entuziaste para startit të këtij Europiani, stonuan me lojën e tyre duke i dhuruar njëra-tjetrës nga një pjesë loje. Në fraksionin e parë të lojës polakët e drejtuar nga Smuda janë më të qartë dhe sulmojnë më shumë nga krahu i djathtë ku mbrojtësi uruguaian i natyralizuar në grek, Holebas, kalohet disa herë lehtësisht nga Muravski dhe Blashzikovski. Pikërisht nga një sulm nga ky krah, pas driblimit që ky i fundit i bën mbrojtësit, vjen krosi që gjen në vendin dhe kohën e duhur Levandovskin, i cili me kokë kalon në avantazh polakët. Pas golit, teksa pritej reagimi grek, vendësit rrezikojnë të dyfishojnë me Perkuis dhe më pas me Obraniak. Karagounis dhe Katsuranis kërkojnë vazhdimisht Samarasin në sulm, por ofensiva helene nuk funksionon. Madje, në minutën e 44-t gjërat për grekët bëhen edhe më të vështira, pasi Papastathopulos ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe automatikisht të kuq. Por, në pjesën e dytë tekniku Santos lë në dyshe Ninis për Salpingidis dhe kjo zgjedhje do

Rusia-Çekia 4-1

rezultojë xholi i këtij takimi. Sulmuesi i PAOK-ut shfrytëzon mjaft mirë një dalje të gabuar të portierit Shezni dhe nga fare pranë portës barazon. Nga aty, ndeshja ndryshon totalisht. Dukej sikur nuk ishin grekët ata që ishin me një lojtar më pak në fushë, por polakët, pasi sulmet ndaj portës së gardianit të Arsenalit janë të njëpasnjëshme. Dhe është pikërisht Shezni, që pas një daljeje në zonën e tij pengon Salpingidis dhe për arbitrin është penallti. Helenët në qiellin e shtatë, polakët nuk u besojnë dot syve. Përveç 11-metërshit, arbitri nxjerr me karton të kuq edhe portierin, duke balancuar forcat në fushë, por me miqtë që kanë shansin e golit trepikësh. Shkon Karagunis nga pika e bardhë dhe portieri i dytë, Titon, grushton duke mbajtur në barazim këtë takim. Në përballjen tjetër, rusët, edhe pse dominuan totalisht thuajse gjithë ndeshjen, nuk e treguan këtë gjë në rezultat, teksa fituan ngushtë ndaj çekëve. Që në pjesën e parë, Dzagoev dhe Shirokov kaluan në avantazh skuadrën e drejtuar nga Advokat, por në fraksionin e dytë të lojës, Pilar shfrytëzoi mjaft mirë një gabim në mbrojtje, duke shënuar golin e vetëm të çekëve. Por, duhet thënë se rusët krijuan një volum ta madh loje duke shkuar disa herë te porta e mbrojtur nga Peter Çeh, por sulmuesit gabuan shumë. Dhjetë minuta nga fundi ishte sërish Dzagoev dhe Palviçenko që shënuan edhe dy gola, duke bërë që rusët të merrnin tri pikë të pastra, duke kryesuar të vetëm grupin A.

Poloni-Greqi 1-1
Shënues:
Levandovski 17/ Salpingidis 51
K.të verdhë: Papastathopulos, Holebas, Karagunis
Karton i kuq: Shezni 69/ Papastathopulos 44
Gjyqtarë: Karlos Karbajo/ Alonso dhe Jimenez (SPA)
Polonia: Shezni, Piszçek, Vasilevski, Perkuis, Boenish, Muravski, Polanski, Blashzikovski, Obraniak, Ribus (Titon 70), Levandovski.
Trajner: Françizek Smuda

Greqia: Kalkias, Torosidis, Papastatopulos, A.Pap-adopulos (K.Papadopulos 36), Holebas, Karagunis, Katsuranis, Maniatis, Ninis (Salpingidis 46), Gekas (Fortunis 68), Samaras.
Trajner: Fernando Santos

Rusi-Çeki 4-1
Shënues:
Dzagoev 5, 79, Shirokov 24, Pavliçenko 82/ Pilar 52
Kartonë të verdhë: Ska
Gjyqtarë: Hauard Ueb/ M.Mularkej dhe P.Kirkup (ANG)
Rusia: Malafeev, Aniukov, Ignasheviç, Berezutski, Zhirkov, Shirokov, Denisov, Zirianov, Dzagoev (Kokorin 85), Kerzhakov (Pavliçenko 73), Arshavin.
Trajner: Dik Advokat

Çekia: Çeh, Selasie, Sivok, Hubnik, Kadlec, Plasil, Jiraçek (Petrzela 75), Rezek (Hubshman 46), Rosicki, Pilar, Barosh (Lafata 86).
Trajner: Mikal Bilek.

Ceremonia/ Balerinë, piano e festë
Ashtu siç ishte parashikuar, ceremonia ishte e shkurtër (saktësisht 12 minuta), por shumë elegante, ku protagonistja e parë ishte tifozëria që kishte mbushur impiantin luksoz të kryeqytetit, e cila shpalosi të 16 flamurët e kombëtareve pjesëmarrëse. Menjëherë pas saj, nën notat e pianistit hungarez, Adam Giorgi, terreni i lojës u mbush nga qindra akrobatë, gjimnastë dhe balerinë që formojnë koreografi spektakolare nën ritmin e Shopenit dhe muzikës moderne. Në qendër të fushës, dy fëmijë, njëri me fanellën e Polonisë dhe tjetri me atë të Ukrainës, luajnë me top së bashku dhe publiku ekzaltohet.

Përfitimet/ 23.5 mln euro për Kampionin
Kampioni i Euro 2012 mund të shpërblehet nga UEFA me 23.5 milionë euro. Kjo është shifra që mund të përfitojë skuadra që kurorëzohet, nëse arrin të fitojë të gjitha ndeshjet në këtë kampionat. Për kualifikim në Euro 2012, secila skuadër përfaqësuese tashmë është shpërblyer me nga 8 milionë euro. Çdo fitore në fazën e grupeve sjell një bonus prej 1 milion eurosh, ndërsa barazimi vlen 500 mijë euro. Fitoret në çerekfinale vlejnë dy milionë euro, ndërsa ajo në gjysmëfinale sjell tre milionë euro. Fituesi i finales përfiton edhe 7.5 milionë euro, ndërsa finalisti i mundur, 4.5 milionë euro.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›