E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trimërimi i Edvinit

Problemi më i madh i opozitës sot, është halli për shndërrimin e situatës së pasGërdecit në një megaminë sociale dhe politike, që do të mundej të përshpejtonte dhe intensifikonte me shpërthim gjëmues aksionin e saj politik sipas stilit “duke parë dhe duke bërë...”, pa pasur kurrfarë ideje se çdo të bëjë me një situatë të tillë nëse arrin ta tensionojë jetën politike aqsa për të nxjerrë produkte allasoj, që vetëm ajo mund t’i konceptojë se të çfarë lloji do të jenë.
Duke pandehur se me Gërdecin do të margjinalizohej deri në bllokim mundësia e marrjes së ftesës së Bukureshtit, opozita megjithë përkushtimin “pro ftesës”, nuk arriti të kuptojë se ndoca municione, të cilat njerëzit e saj i lanë pa kujdes lart e poshtë nëpër luginën e Gërdecit, nuk mundeshin të hidhnin në erë planet e Aleancës për zgjerim dhe përfshirje me çdo kusht të Shqipërisë, pavarësisht problemeve politike dhe stekës së ngritur të standardeve, aq më tepër kur bëhet fjalë për hyrjen në paradhomën e NATO-s, dhe jo më tepër.
Ajo që të bën përshtypje në artikulimin e opozitës sot, nuk është thesht përsëritja e përrallave nga e kaluara deri në mërzi, por trimërimi i befasishëm i Edvinit të tulatur të pas Sollakut, që ka filluar të flasë për “korrupsion galopant...”.
I dëshpëruar për efektin aspak shpresëdhënës për opozitën dhe aspak kryqëzues për maxhorancën, të artikullit të NYT, Edvini, krahas analistëve majtistë, ka marrë përsipër të bëjë shqytarin e redaksisë së gazetës amerikane, ndërkohë që DASH dhe agjensitë e Ushtrisë amerikane kanë ndërmarrë hetime të hollësishme, hetime këto që Edvini dhe Erioni nuk kanë kurajo t’i ndërmarrin me anë të një komisioni parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë, pavarësisht kërkesës së kryeministrit në këtë hulli.
Dhe për t’ia bërë “pauuuu” me patllaken e ndryshkur të startimit të aksionit protestues të opozitës, Edvini ka planifikuar që të premten të tubojë “gërdecarët” ish ushtarakë të ’97-ës, madje bash ata që dinin t’i shpërthenin asokohe depot dhe municionet për të destabilizuar rendin publik dhe për të ngjallur një situatë terrori që do të gjunjëzonte dhe, më pas, të paralizonte plotësisht institucionet e shtetit.
Ngaqë nuk di se nga t’ia fillojë, Edvini fillimisht ka ideuar ta ndajë turmën që do të prijë në shesh, në disa skalione, në krye të të cilëve do të jenë qirimbajtësit alla-“diogjenë” të “ish” mjaftistit ende mjaftist Erion Velisë, të cilin do ta dublojë me Ajolën dhe zyshë Artën.
Pas tyre mendohet të jenë graria e bashkisë me në krye Vali Bizhgën dhe Ed Shalsin, dhe direkt pas këtyre robve me flokë të gjata do të rreshtohen kuqo-ushtarakët e Zydit, të cilëve nuk u ka thënë askush “punë e mbarë:” gjithë jetën, përveçse urimeve të Gjinushit në ’97-ën.
Pas tyre do të vijnë Musë Ulqini, Alfred Dalipi, Erion Braçe, Ben Blushi dhe gazetarët e tjerë, sidomos ata dy të parët, të cilët tremben se mos ndofta me yryshin që ka marrë Edvini, ka rrezik të mos i përfshijë në listat e mbyllura, duke ua mbyllur edhe karrierën politike në hozrashotin parlamentar, ku ka kohë që shullëhen pa thënë asgjë të hajrit, përveçse duke perifrazuar në mënyrën më bajate “gjetjen” edramiste të “politikës së re”.
Problemi më i madh i protestës së Edvinit, përveç Marshimit të Heshtur të përsëritur si ritual, është edhe gjetja e ndoca parullave që të jenë pakëz mobilizuese, për çka në fundore kryesocialisti do t’i drejtohet Gjinushit se mos ai i gjen gjëkundi tregishtorë si ata të ’97-ës, që të bëjnë ndonjë simultane të denjë me paramilitarët serbë në Mitrovicën Veriore... Gjë që Gjinushi e ka marrë seriozisht për ta bërë, vetëm e vetëm për të dëshmuar përkushtim dhe për të shënuar emrin në toplistën e mbyllur të opozitës, me të cilën nuk do të ketë më nevojë për të kërkuar zonë të lirë, çka do t’i nxirrte bakrin rezultatit prej 12 % që mori në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Por Gjinushi problemin më të madh e ka me të tijtë, të cilët tashmë që plasi Gërdeci, kërkojnë mandat me çdo kusht dhe nuk kanë ndërmend të bëjnë “federatë me rotacion mandati 4 vetë për një deputetllëk katërvjeçar”, ku Engjëllit i bie që, sipas rrotullim-pikiatës së karuselës socialdemokrate, të shndërrohet në Engjëllushe prej halli në çerekun e radhës, vetëm e vetëm për të mbetur në hozrashot pa u shkurtuar, pasi ka problem të madh faktin se, po nuk plotësoi një mandat e gjysëm, nuk i del pensioni si deputet, por thjesht merr rrogë deputeti edhe dy vjet pas dorëzimit të mandatit.
Problemi më i madh i mëtonjësve për deputetë tek partitë e vogla të opozitës sot, është se krahas dëshirës për të parë fytyrat e reja të kryesisë së PS ndaj të cilëve ata kanë komplekse inferioriteti, me gjasë duan të testojnë ranglistën imagjinare në kokën e Edvinit për deputetëllëkun e radhës, tashmë të përcaktuar nga listat e mbyllura, që janë shndërruar në makthe drithëruese për këtë takëm kandidatësh për t’u punësuar në parlament. Nga Astrit Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›