Kushtet për të udhëtuar pa viza
Erald Kapri
Liberalizimi i vizave është një mundësi e qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian lirshëm, por ata s'mund të kenë mundësi të qëndrojnë më shumë se tre muaj. Ministria e Jashtme nisi një proces informimi për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të kuptohen kushtet, lehtësitë por edhe penalitetet që parashikon procesi i liberalizimit të vizave. "Qytetarët duhet ta kenë të qartë se liberalizimi i vizave ka të bëjë me një qëndrim në vendin që viziton jo më shumë se tre muaj, nuk do të thotë mundësi studimi afatgjatë dhe as bashkim familjar", deklaroi Gazmend Turdiu, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme në konferencën e organizuar nga ministria dhe organizata "EMA". Për të kuptuar më qartë liberalizimin e vizave, ky proces do të thotë liri udhëtimi për të parë vendet e BE-së, apo për të takuar të afrimit emigrantë atje.
Në momentin që shqiptarët do të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen, gjë që pritet të ndodhë brenda vitit 2010, ata duhet të respektojnë disa kushte e detyrime. Kështu, mund të udhëtosh në vendet e BE-së pa vizë vetëm dy herë në 1 vit, ose një herë në 6 muaj, dhe gjatë kësaj periudhe nuk mund të qëndrosh më shumë se 3 muaj. Qytetarët mund të kenë mundësi që gjatë kësaj kohe 3-mujore të takojnë të afërmit e tyre, të kërkojnë mundësi studimi, të shkojnë për turizëm ose të kërkojnë punësim. Në këtë periudhë 3- mujore mund të tentohet për punësim sezonal. Por në rast se ndokush tenton të mos kthehet, atëherë autoritet e vendit të BE-së ku ai ka udhëtuar, e kthejnë mbrapsht në Shqipëri, duke e penalizuar që të mos mund të udhëtojë në të gjithë vendet e BE-së për një periudhë 5-vjeçare. Ky është penaliteti më i madh, ndërsa do të ekzistojnë edhe gjoba financiare, nëse kalohet afati tremujor i udhëtimit. Nëse ndokush kërkon të rrijë më shumë në vendet e BE-së, duhet të paraqesë një arsye bindëse. Për shembull, nëse fillon një kontratë të rregullt pune, atëherë mund të aplikojë për vizë afatgjatë deri 2-vjeçare.
Sekretari i përgjithshëm i ministrisë, Turdiu, bëri dje të qartë se liberalizimi i vizave nënkupton vetëm liri udhëtimi, por qytetarët s'mund të kërkojnë bashkime familjare. "Mosrespektimi i pikave të marrëveshjes që Shqipëria do të firmosë me vendet e zonës shengen për lëvizjen e lirë nga ana e qytetarëve shqiptarë do të ketë edhe penalizime", paralajmëroi Turdiu.
Një tjetër pikë e prekur ishte edhe ajo e azilkërkuesve. Sipas Turdiut, më këtë çështje është abuzuar, pasi sipas tij, personat nga vendet që përfituan liberalizimin e kërkonin azil, tërhiqeshim më pas nga kërkesa e tyre. Ai tha më tej se, qytetarët nuk mund të kërkojnë azil, kur mund të udhëtojnë lirshëm. "Ne i kemi kërkuar EUROPOL-it që personat azilkërkues të mos cilësohen si shqiptarë etnike", tha ai.
Në konferencën e djeshme, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, theksoi rëndësinë e këtij procesi. "Përfundimi i procesit të liberalizimit të vizave do të rrëzojë jo vetëm barrierat fizike, por edhe ato psikologjike, tashmë të akumuluara prej dekadash, duke sjellë një përqasje dhe shikim me pragmatik të qytetarëve shqiptarë ndaj procesit të integrimit me kostot dhe përfitimet që mbart", tha Gjipali. Ndërsa shefi i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informacionit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Tomas Von Handel, tha se Shqipëria ka bërë progres në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave. Ai u shpreh se përfshirja e të gjithë aktorëve të shoqërisë në informimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës është një element i rëndësishëm, që duhet adresuar jo vetëm në qendrat e mëdha të banuara, por edhe jashtë tyre.