E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Birra Korça, brenda muajit do nisë eksporti në Greqi”



nertila maho

"Eksportin e parë do ta fillojmë në fund të prillit në Greqi dhe brenda majit do eksportojmë në Amer-ikë, Kosovë, Maqedoni dhe Itali". Drejtori i ri i eksporteve i "Birra Korça" tregon për gazetën strategjinë e re të kompanisë. Gjermani, Dirk Wiesemann, tregon edhe arsyet që e sollën në Shqipëri dhe pse zgjodhi pikërisht kompaninë "Birra Korça". "Ajo që më ka tërhequr vëmendjen ka qenë marrja e standardit më të lartë ISO 22000 nga "Birra Korça", pasi ky ishte rasti i parë që një kompani vlerësohej në këtë nivel në rajon."
Jeni drejtori i ri i eksporteve në kompani. Diçka rreth karrierës suaj më të hershme dhe kur keni dëgjuar për herë të parë rreth "Birrës Korça"?
Gjatë karrierës sime përgjithësisht kam punuar në rajonin e Ballkanit dhe domosdoshmërish për markat e suksesshme flitet shpesh. Ajo që më ka tërhequr vëmendjen, ka qenë marrja e standardit më të lartë ISO 22000 nga "Birra Korça", pasi ky ishte rasti i parë që një kompani vlerësohej në këtë nivel në rajon. Gjatë asaj kohe mua dhe kolegëve të mi na bëri shumë përshtypje ky çmim dhe menduam që kjo birrë duhet të kishte diçka të veçantë që u vlerësua. Në kohën kur erdha në Shqipëri, lexova nëpër media që drejtimi i "Birrës Korça" u mor nga një grup danez shumë i kualifikuar, që kishin punuar më parë për "Carlsberg". Ky lajm më tërhoqi vëmendjen, kështu që u lidha me miqtë e mi dhe shkuam e vizituam "Birrën Korça".
çfarë përshtypjesh morët nga kjo vizitë?
Gjatë kohës që vizitova kompaninë u surprizova. Nuk e mendoja që do të kishte një nivel të tillë investimi, ndërtesa e fabrikës është një ndërthurje arkitekture klasike dhe moderne, ku është ruajtur historia e "Birrës Korça" dhe zhvillimi që merr me teknologjinë e tipit të fundit, gjithmonë duke ruajtur traditën e prodhimit. Vura re një kombinim mes stafit ekzistues dhe atij të ri, ndërkohë që më tërhoqën vëmendje kushtet në të cilat punonte stafi i fabrikës, të cilat nuk i kam parë ndonjëherë në një fabrikë ushqimore. Pastërtia ishte e nivelit të lartë dhe aty kuptova pse ishte marrë standardi ISO 22000. Bashkë me miqtë e mi mbetëm të befasuar nga shija e birrës, duke ditur që vijmë nga një vend, që ka një traditë që njihet në prodhimin e birrës. "Birra Korça" ka një nga shijet më të mrekullueshme që unë kam provuar. Gjatë vizitës sonë, personi që na shoqëronte na tregoi detaje lidhur me traditën e "Birrës Korça", historikun dhe emrin e madh të saj. Dy gjëra mu fiksuan në atë vizitë: e para, që kjo ishte birra e parë shqiptare, më e kërkuara, ndërkohë që karakteristikë tjetër është ajo që ka të bëjë me ujin që përdoret, i cili mësova se vinte nga mali i Moravës, që mbulohet me një bimë karakteristike, siç është lajthia.
Nga vizita tek kompania deri tek pozicioni i drejtorit të eksporteve, si u bëtë pjesë e ekipit të kompanisë "Birra Korça"?
Gjatë vizitës për të cilën ju fola, së bashku me miqtë e mi patëm mundësinë që të njihnim edhe stafin danez, me të cilët shkëmbyem mendime e biseda rreth asaj çka pamë te "Birra Korça" dhe arritëm në një mendim lidhur me cilësinë e saj. Ata më konfirmuan se arsyet që i shtynë për të marrë përsipër menaxhimin e "Birrës Korça" ishin investimi, kushtet e punës dhe emri i madh që ka kjo birrë në treg. Pashë një optimizëm shumë të madh te danezët, të cilët kishin një eksperiencë të gjatë në fushën birrarisë. U larguam nga Korça me impresionon më të mirë dhe rrugës për në Tiranë më mbeti në mendje ajo që pashë. Për këtë, ftova miqtë e mi të huaj dhe organizova një drekë me "Birra Korça". Ju fola gjatë për këtë markë dhe ata më thanë se pse nuk e shoh si alternativë punësimin në këtë kompani, duke qenë se "Birra Korça" kishte nevojë për një drejtor eksporti dhe menaxhimi. Sigurisht që vazhdova humorin e tyre me një "Pse jo?". Një pjesë e tyre e njohin "Birrën Korça", sepse kanë kohë që jetojnë në Shqipëri. Një ditë, një nga miqtë e mi më pyeti nëse fillova punë te "Birra Korça" apo jo. Më konfirmoi se ishte e vërtetë që kjo kompani kërkonte një person në marketing dhe një në eksport. Atëherë e mora seriozisht dhe shkova te stafi drejtues i "Birrës Korça" dhe shpreha dëshirën për t'u marrë me eksportin e kësaj birre, pasi më pëlqen për cilësinë që ka. Mora pjesë në konkurrim dhe më pas u gëzova, kur më lajmëruan që duhet të paraqitesha pranë drejtuesve të kompanisë. Aty takova Zotin Funman, i cili më konfirmoi që isha përzgjedhur për eksportin e "Birrës Korça" dhe më prezantoi me stafin drejtues. Unë shpreha kënaqësinë për këtë detyrë. Kështu, ja ku jemi pra, nga një histori e zhurmshme në Ballkan, ku "Birra Korça" u vlerësua me ISO 22000, në një tjetër situatë, ku unë jam drejtori i eksporteve për këtë birrë të shkëlqyer.
Diçka lidhur me eksportin e birrës, si po ecin gjërat në këtë aspekt?
Ka shumë kërkesa nga jashtë për eksportimin e "Birrës Korça" dhe aktualisht jam duke i seleksionuar ato. Shumë shpejt do të fillojmë eksportin në Greqi, Kosovë, Londër, Amerikë, Itali. Eksportin e parë do ta nisim në fund të prillit me Greqinë dhe brenda majit do eksportojmë në Amerikë, Kosovë, Maqedoni dhe Itali.
Cili është target-grupi që synoni në tregun e huaj?
Target-grupi që ne synojmë në tregun e huaj nuk lidhet vetëm me shqiptarët emigrantë, por edhe me të huajt, sepse "Birra Korça" nuk konsiderohet vetëm nga emri, por edhe nga shija e cilësia e pëlqyeshme. Këtë në fakt e kam parë te shumë miq të mitë të huaj në Shqipëri dhe kjo më bën të mendoj që kjo birrë do të pëlqehet mjaft edhe jashtë, pasi përmbush dy standarde të rëndësishme: cilësinë dhe shijen. Mendoj se "Birra Korça" ka një emër shumë të madh dhe një traditë të trashëguar në breza. Aty vërtet ekziston një histori në të kaluarën dhe nuk është harruar. Ajo që më ka bërë përshtypje është fakti që nga testimet që kemi bërë në treg, ajo zë vend të parë në emër dhe mendoj se "Birra Korça" do të ketë një eksport të madh. Ngritja e saj si birrë do të jetë shumë e madhe jo vetëm në tregun kombëtar, por edhe jashtë, sepse në cilësi është e barabartë me më të mirat. Nga informacionet që kam, shumë kompani të huaja prestigjioze e marrin si referencë "Birrën Korça" në tregun shqiptar, madje edhe prodhues vendës apo importues. Ne i respektojmë shumë këta të fundit, sepse duke ndërtuar ata strategji, ne motivohemi dhe vendosemi në pozita për të ndërtuar strategji më të shëndosha për të ecur para. Më ka bërë përshtypje veç stafit drejtues danez, edhe drejtori i shitjeve, Gentian çelosmani, që është diplomuar në Oksford. Ai ka vizion dhe ambicie. Stafi drejtues më jep motivim, gjej vizion dhe energji për të eksportuar "Birrën Korça".
Po lidhur me marketingun, a keni ndonjë strategji të re në duar?
Sa i përket marketingut, është e vetmja pikë për të cilën mund të flas shumë pak, sepse marketingu i saj është emri që ka "Birra Korça" dhe atë e njohin të gjithë shqiptarët. Marketingu që po planifikojmë do të jetë me ambicie dhe vizion, një shembull në zhvillimin e "Birrës Korça", bashkë me ardhjen e drejtorit të ri. Aktualisht marketingun po e mbulojnë danezët dhe ata po hartojnë një strategji, që do ta bëjnë të qartë pas konkurrimit për përzgjedhjen e drejtorit të ri, ku marrin pjesë 40 persona. Drejtori që do të përzgjidhet duhet të ketë të njëjtin vizion me stafin drejtues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›