Operacioni Shëtitësit kap hajdutët e 4 vjedhjeve në dyqane dhe supermarkete

Tepelenë, 13 shkurt, NOA Dy persona, në bashkëpunim
me tre të tjerë, pasi dyshohet se kanë vjedhur me thyerje në qytetin e
Tepelenës një sërë dyqanesh dhe supermarketesh, kanë mundur të bien në prangat
e policisë nën operacionin e koduar Shëtitësit.
Lajmi konfirmohet zyrtarisht për agjencinë e
Lajmeve NOA, duke saktësuar se të ndaluarit janë 48-vjeçari Aranit Buzi dhe Florenc
Cipllaka, 33 vjeç; që të dy lindur dhe banues në Fier.
Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se në datën
08.11.2009, kanë vjedhur me thyerje gjatë natës dyqanin e personit me iniciale GJ.G,
nga Tepelena, duke i marrë një shumë prej 20.000 lekë të reja.
Po gjatë natës së datës 08.11.2009, bëhet me
dije se ata kanë vjedhur me thyerje edhe supermarketin e personit me inicialet A.N. nga
Tepelena, ku kanë vjedhur rreth 40 karta të ndryshme të kompanive celulare si
dhe një shumë 10.000 lekë të reja.
E njëjta natë do të regjistronte prej tyre
edhe vjedhjen me thyerje të supermarketit të personit me inicialet A.Z, nga
Tepelena , ku kanë vjedhur një shumë prej 50.000 lekë të reja dhe atë të dyqanit
të personit me inicialet F.D, nga Tepelena, ku kanë vjedhur një shumë prej
8.000 lekë të reja.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7
aparate celulare, 9 karta Sim si dhe një automjet tip Benz taksi me targë FR
801 A, në pronësi të Aranit Buziy, me të cilin dy personat e arrestuar kanë lëvizur
për të realizuar vjedhjet e lartpërmendura.
Ndërsa nga ana e policisë po punohet edhe për
kapjen e tre personave të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim, ku për arsye
hetimi nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit
Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të Vjedhjes së
kryer në bashkëpunim , parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA