E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritan Shehu: “Ne nuk e pengojmë ngritjen e komisionit nëse kërkesa bëhet në bazë të Rregullores”



Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, i cili dje u betua për të gjashtën herë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, komentoi kërkesat e Partisë Socialiste për t’u futur në Kuvend. Shehu u shpreh se PS-së nuk do t’i mohohet ngritja e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet në rast se kërkesa bëhet në bazë të Rregullores së Kuvendit. Shehu gjithashtu shtoi se, opozita, që të realizojë kërkesat e saj, duhet të jetë e pranishme në Kuvend. Deputeti i PD-së gjithashtu përmendi se e gjithë infrastruktura zgjedhore u hartua me opozitën dhe se ishte kjo e fundit që zgjodhi sistemin zgjedhor, gjithsesi, sipas tij, PD-ja është e gatshme që në bashkëpunim me opozitën të ndërmarrë një reformë zgjedhore që mund të sjellë edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor. “Mungesa e opozitës në Kuvend, sigurisht që bie në sy. Ajo është në mospërputhje me realitetin, me reformat, me synimet e Shqipërisë për t’u integruar në BE. Bojkoti krijon një imazh negativ të vendit, ndërkohë që bëhet vetëm për interesa të ngushta. PD-ja ka deklaruar ditët e fundit se është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën, por që opozita të realizojë kushtet e saj, duhet të jetë e pranishme në Kuvend”, - është shprehur deputeti Shehu.

Astrit Patozi:
“Ne nuk pranojmë kushte dhe ultimatume nga opozita”

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh dje se PD-ja nuk pranon kushte dhe ultimatume nga PS-ja. Sipas Patozit, kushtet që PS-ja i ka parashtruar Kuvendit lidhen me debatet e brendshme të kësaj partie. Ai u shpreh se kërkesa e PS-së për komision hetimor parlamentar me pjesëmarrjen e OSBE-së është një gafë juridike. “Sot është një ditë solemne. Shpreh keqardhjen që një pjesë e përfaqësuesve të popullit nuk morën pjesë në këtë ceremoni. Shpresoj që ky vendim të jetë i përkohshëm, ashtu sikurse është i përkohshëm debati i brendshëm në PS. Kushtet e PS-së janë absurditete. Absurditeti shkon aq sa kërkohet prania e OSBE-së në Parlament. Kërkohet komision parlamentar ku të marrë pjesë edhe OSBE-ja. Kjo është jo vetëm nonsens, por edhe gafë juridike. Opozita nuk ka asnjë argument përsa u takon zgjedhjeve, sepse ato ishin zgjedhjet më të mira në vend. Por ajo që mund të them është se kushtet e vendosura nga PS-ja për Parlamentin e Shqipërisë janë vetëm argumente që lidhen me problemet e brendshme në PS dhe me kushtet për të mbajtur vendin e kryetarit”, - është shprehur kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Patozi.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›