Tritan Shehu: Seanca e djeshme plenare, fotokopje e 6 gushtit
“Ri-përsëritje e tendencës së vullnetit për të bllokuar nga ana e PS”, e cilësoi qëndrimin e djeshëm të PS, deputeti demokrat, Tritan Shehu. Sipas tij, seanca e djeshme ishte e cila çoi në shtyrjen e votimit për Gjykatën e Lartë, ishte fotokopje e 6 gushtit. “Grupi i PS u paraqit tërësisht konfuz dhe pa një ide të qartë, thjesht e vetëm për të bllokuar dhe për t’u bërë pengesë në procesin e rëndësishëm në të cilin ecën Shqipëria, siç është integrimi. Ishte një situatë e njëjtë me atë të 6 gushtit. Unë nuk di se çfarë mund të japë mazhoranca më tepër. I kemi thënë kolegëve tanë socialistë sillni propozimet për amendimet specifike të projektligjit, por asnjëherë s’e kanë bërë. Ky projektligj është shumë i rëndësishëm. Së pari i hap rrugë ngritjes së Gjykatës Administrative, një hap i sigurt drejt reformimit të sistemit të drejtësisë. Opozita e ngatërron këtë çështje me çështje të tjera që s’kanë lidhje me këtë nismë”, u shpreh ai. Duke komentuar insistimin e opozitës për kreun e qarkut të Fierit, deputeti demokrat tha se opozita bën një ngatërresë të qëllimshme, kërkon të bashkojë të pa-bashkuarën, pasi ka mekanizma të tjerë për kondicionuar çështjen në fjalë.
...