Bregu, opozitës: Mendoni si kombëtarë, jo si lokalë

Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu i bëri apel opozitës dje në Kuvend për miratimin e projektligjit “Për Gjykatën e Lartë”, në prag të publikimit të progres-raportit të Brukselit për marrjen e statusit të vendit kandidat. Bregu tha se që nga marrëveshja politike e 14 nëntorit 2011, mes mazhorancës dhe opozitës palët kanë realizuar bashkërisht jo pak, por 120 masa. “Kemi plotësuar së bashku detyrimet kryesore më të mëdha e më të rëndësishme, madje dhe aty ku ishte e vështirë arritja e konsensusit në këtë proces”, u shpreh ajo. Bregu solli në vëmendje mos-marrjen e statusit të vendit kandidat për dy vjet rresht, për shkak të bllokimit të këtij procesi nga opozita, e cila tha ajo sërish po tenton të bllokojë miratimin e ligjit “Për Gjykatën e Lartë”.
“Sot, fatkeqësisht, po tentohet sërish një ngritje e murit të radhës me “Gjykatën e Lartë”, një ligj i kërkuar si kriter për të përmirësuar emërimet, në bazë të meritës, në sistemin e drejtësisë. Rekomandimi “Për Gjykatën e Lartë”, është pjesë e detyrimit brenda prioritetit 7 për strategjinë në drejtësi, e cila është zbatuar në masën 68% të saj”, tha Bregu.
Duke e konsideruar të vetmen çështje të mbetur pezull, nga ky prioritet, ministrja i bëri apel deputetëve të opozitës që të reflektojnë në qëndrimet e tyre, ndërsa pritet vendimi i Brukselit për Shqipërinë.
“Sot mos mendoni si lokalë, por mendoni si kombëtarë. Kemi një vendim që është jo më larg se dhjetë ditë që do të jepet për Shqipërinë dhe ju pavarësisht retorikës që po ngrini në Kuvend, doni të ketë një vlerësim pozitiv, i cili na jep një argument më të mirë të gjithëve për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë”, tha ministrja Bregu.