Tritol bar-restorantit, dyshohet konkurrenca
LEZHE- Konkurrenca dyshohet te jete bere shkak per nje atentat me tritol ndaj lokalit te nje biznesmeni buze rruges kombetare Lezhe-Tirane. Ngjarja ka ndodhur rreth ores 02:30 te mengjesit te djeshem, ne afersi te fshatit Rile te Lezhes dhe per fat te mire, nuk ka pasur te demtuar ne njerez, por vetem deme materiale.
Sasia e eksplozivit qe sipas eksperteve dyshohet te jete tritol, mendohet se ka qene 100 grame e vendosur ne deren kryesore te lokalit. Ne ate ore, nuk ka pasur kliente dhe ambientet ishin te mbyllura. Pronari e lokalit, emri i te cilit nuk publikohet per arsye sigurie, ka deklaruar se rreth ores 23:00 te mbremjes kishte mbyllur deren kryesore dhe fikur dritat. Ai banon afer zones ku ka dhe biznesin, ndersa gjate dites se marte eshte shprehur se nuk ka pasur konflikte me kliente apo banore te Riles. Biznesmeni ka hedhur poshte pisten e nje konflikti te mundshem dhe hakmarrjeje, duke bere qe hetuesit te perqendrohen ne pisten e konkurrences.
Nga shperthimi i fuqishem qe eshte degjuar prej banoreve te zones, ka pasur deme te konsiderueshme materiale, dera e shkaterruar dhe xhamat e thyer. Demtime ka pasur edhe ne strukturen e objektit dhe nje pjese e materialeve brenda tij. Autoret nuk kane mundur ta hedhin brenda ambienteve pakon e eksplozivit me fitil zjarrpercjelles, por tek pragu i deres. Burime te policise vendore, thane se lokali sherbente si bar-restorant ku ktheheshin shume prej udhetareve dhe shofereve, ndaj po perqendrohet hetimi te konkurrenca mes bizneseve ne kete aks rrugor.
Sipas burimeve policore pronari i lokalit nuk ka pranuar te kete konflikte me ndonje person apo subjekt tjeter privat. Grupi hetimor po heton rreth shkaqeve te ndodhjes se ketij incidenti, si edhe per zbulimin dhe kapjen e autoreve. Dyshohet se autoret mund te jene edhe banore te zones, pasi kane mundur te fshehin edhe gjurmet, por deri dje ne mbremje nuk ka pasur asnje te ndaluar per krimin.
Akuzat
Per shkak te provave te pakta dhe mbetjes ende mister te emrave te autoreve, grupi hetimor ne policine e Lezhes ka nisur hetimet per akuzat e "shkaterrimit te prones me eksploziv" dhe "mbajtje pa leje te lendeve plasese". Per kete ngjarje hetimet i kaluan prokurorise, ndersa policia po kryen shoqerime te te dyshuarve per aktin kriminal.