E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet bariu, iu vuri zjarrin 3500 rrënjëve ullinj



TEPELENË – Një bariu ka djegur qëllimisht rreth 4000 rrënjëve ullinj, por më pas ai ka rënë në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23.30, specialistët e Seksionit për Krimet Kundër Pronës në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit. Qemal Shehu. Sipas tyre, 50-vjeçari, lindur në Tepelenë dhe banues në fshatin Vasjar të këtij rrethi, dy ditë më parë, rreth orës 19.00, duke kullotur bagëtitë e tij në vendin e quajtur Kodrat e fshatit Vasjar të Komunës Fshat Memaliaj, ka vendosur qëllimisht zjarr.
Zjarri
Të dielën pasdite Qemal Shehu ka vënë zjarrin një kullote, por flakët e ndihmuar edhe nga era e forte janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqeje toke rreth 15 hektarë. Si pasojë e flakëve është djegur një parcelë me rreth 3000 rrënjë ullinj të vjetër dhe një parcelë me 400 rrënjë ullinj fidanishte, ndërsa pjesa tjetër ishte kullotë (shkurre dhe barishte). Një situatë e tillë ka alarmuar banorët vendas, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe repartin Zjarrfikës. Në operacionin për shuarjen e flakëve janë përfshirë me qindra efektiva blu, punonjës të repartit të emergjencave dhe banorë të fshatit Vasjar. Zëdhënësi i policisë Gentian Mullai bën të ditur se u bë e mundur që pas 3 orëve zjarri të lokalizohej dhe të shuhej plotësisht”.
Arrestimi
Informacionet e para të policisë çuan në pistën e një zjarrvënie të qëllimshme. Pas disa orësh hetimi të forcave të komisariatit të Tepelenës dhe agjentëve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, është bërë i mundur identifikimi i autorit të vënies së zjarrit. Forcat e rendit kanë shkuar në banesën e Qemal Shehut, të cilit i kanë vënë prangat në mesnatën e së dielës. Mullai bën të ditur se “materialet për 50-vjeçarin Shehu i kaluan prokurorisë së rrethit për veprime të mëtejshme, pasi ai akuzohet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Gjatë kësaj vere janë regjistruar disa zjarre të vëna qëllimisht nga banorët vendas. Madje, në njërin prej rasteve, një 76-vjeçar ka gjetur vdekjen mes flakësh, pasi i kishte vënë zjarrin një kullote, flakët e së cilës ishin përhapur në një sipërfaqe të madhe.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›