E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol në banesën e pensionistëve, mister arsyet

13/07/2009  Ngjarja në mesnatë, dëme të mëdha materiale. Flet 70-vjeçari: Nuk kemi grindje me njeri

FIER- Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në banesën e shtetasit Kozma Toska, banor i lagjes "15 tetori" të qytetit të Fierit. Ngjarja është regjistruar rreth mesnatës të së dielës duke shkaktuar vetëm dëme të mëdha materiale. Ndërkohë policia nuk ka asnjë të dyshuar dhe asnjë pistë për shkaqet.

Shpërthimi

Si pasojë e këtij shpërthimi të fuqishëm janë dëmtuar kolonat mbajtëse të banesës si dhe ka rënë suvaja dhe janë thyer xhamat e dritareve të shtëpisë njëkatëshe. Në çastin e shpërthimit në banesë kanë qenë vetëm 2 të moshuarit Kozmai dhe e shoqja e tij Polikseni të dy rreth 70 vjeç. Lajmi konfirmohet për gazetën nga vetë Toska, po ashtu edhe nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë qarkut Fier. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 00:00 në ndërrim të ditëve të djeshme. Një sasi lënde plasëse e llojit tritol pohoi paraprakisht policia e Fierit, ka shpërthyer në pragun e derës së shtetasit Kozma Toska pensionist, por që më parë ka punuar mësues. Sipas burimeve zyrtare të policisë Fier mësohet se ende nuk dihet se cili ka qenë autori i vendosjes së kësaj lënde eksplozive si dhe nuk dihen motivet e vendosjes së saj. Po sipas këtyre burimeve mësohet se nga plasja e sasisë së eksplozivit që mendohet të ketë qenë rreth 100gr TNT ka pasur thyerje të derës kryesore të banesës ku ai banon së bashku me bashkëshorten, thyerje xhamash e disa dëme të tjera materiale. “Dëme në njerëz nuk ka pasur”, pohuan burimet zyrtare të policisë Fier. Grupi i ekspertëve të kriminalistikës, që shkuan në vendin e ngjarjes, kanë marrë pjesë nga mbetja e shpërthimit të lëndës plasëse dhe janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës për të përcaktuar tipin e lëndës plasëse. Policia po punon për identifikimin e autorit dhe motivet e vendosjes së kësaj lënde plasëse. Në rrugicën që është pas shkollës nëntëvjeçare “Mark Dashi” ndodhen disa banesa radhë që janë të fisit Toska. Mes tyre ndodhet edhe banesa e Kozma Toskës, i cili dikur ka punuar mësues, por që tashmë në shtëpinë e tij jeton me bashkëshorten e vet.

Rrëfimi i kryefamiljarit

“Nga martesa Kozmai ka tre fëmijë, pohon nipi i tij, të cilin e takuam para banesës së xhaxhait të vet. Dy fëmijë i ka në emigracion prej vitesh, ndërkohë që tjetrin në Tiranë me punë e shtëpi. Jemi vëllazëri të gjithë, pasi jemi autoktonë në këtë lagje të Fierit, pohon nipi i Kozmait. Zhurma na tronditi të gjithëve. Nuk e dimë se cili e ka vendosur dhe përse e ka vendosur, pasi jo vetëm Kozmai, por edhe ne nuk kemi asnjë konflikt me asnjë qytetar, jo të Fierit, por në të gjithë vendin”, ka thënë ai. Teksa shkon në radhën e banesave të Toskallarëve ndeshesh me një portë hekuri me blinda betoni. Ajo është e rrethuar me mur të lartë prej blloqesh e me shtrat hardhie. Teksa i biem ziles, derën e hap vet Kozmai dhe pas tij duken qartë vetëm lule shumë ngjyrëshe. Kozmai na thotë se nuk do foto apo filmime për televizione. Unë ju flas por mos më nxirrni fotografi. Ashtu me zërin e dridhur nga sikleti që kaloi disa orë më parë Kozmai tregon: “Ishte natë, afër 12 ishte ora. Dëgjuam zhurmë, na shurdhoi. Vendi u trondit. Unë isha vetëm me gruan. Fëmijët i kemi në emigracion dhe në Tiranë. Dolëm pas pak jashtë. Kishin dalë edhe vëllazëria. Shikojmë porta e shtëpisë e thyer dhe e shqyer. Xhamat e thyer. Pas pak mbërriti policia. U habitëm, çfarë qe kjo që ndodhi. Pasi na morën në pyetje ata të policisë kontrolluan dhe pas rreth dy orësh ikën”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›