E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen të miturit, vidhnin në hotele

 

SARANDE – Katër të mitur u arrestuan nga policia e Sarandës për vjedhjen e turistëve. Ata janë nga fshatrat e Tiranës, por kanë udhëtuar drejt jugut për të zgjeruar aktivitetin e tyre, me shënjestër pushuesit vendas e të huaj. Burime nga komisariati i policisë pohojnë se në një hotel në vendin e quajtur Manastir, në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë hyrë nëpër dhoma, duke grabitur para dhe sende me vlerë. Në momentin e arrestimit, njërit prej tyre iu gjetën 750 euro dhe një aparat telefoni celular. Nga ana e policisë janë kryer hetimet e mëtejshme, gjatë të cilave është zbuluar se ndodhja e tyre në Sarandë ishte e përkohshme, ndërkohë që përgatiteshin për kalim të paligjshëm të kufirit. Dokumentacioni në ngarkim të këtyre shtetasve kaloi në seksionin për të mitur në Prokurorinë e Gjirokastrës, duke qenë se një seksion i tillë i mungon Prokurorisë së Sarandës.                     sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›