Tritol shtyllës 220 k/volt,në linjën Shkodër-Elbasan
Fatos Mahmutaj & Etleva DeliaSulmohet me eksploziv shtylla e tensionit të lartë, që transmeton energjinë elektrike në linjën Shkodër-Elbasan, pjesë e rrjetit Mali i Zi-Shqipëri, Kosovë-Shqipëri. Një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive e vendosur rreth orës 20:20, mbrëmjen e së hënës në një nga shtyllat e linjës së tensionit të lartë 220 kilovolt i linjës Koman–Elbasan, ndërtuar në vitin 1982, ka rrezikuar ndërprerjen e energjisë elektrike në të vetmen rrugë që e dërgon atë në stacionin kryesor të vendit, që ndodhet në hyrje të qytetit të Elbasanit. Shpërthimi ka dëmtuar rëndë një prej katër këmbëve të shtyllës në fshatin Prezë të Tiranës, megjithatë ajo ka qëndruar në këmbë. Linja e sulmuar konsiderohet si arterie e rëndësishme e rrjetit energjetik, për natyrën e dyfishtë brenda dhe jashtë vendit. Ajo lidh burimet energjetike në veri të vendit, ndërsa është pjesë e linjës me Malin e Zi dhe Kosovën. Shpërthimi është dëgjuar deri në Fushë-Krujë dhe ka shkaktuar dëme në banesat pranë zonës. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbuluar autorët e krimit, ndërsa bëhet e ditur se janë shoqëruar rreth 27 persona, banorë të zonës, që dyshohet se mund të kenë dijeni. Pas largimit të ekspertëve të kriminalistikës dhe oficerëve të policisë gjyqësore, ekipet e emergjencës kanë nisur punën për të riparuar dëmin e shkaktuar nga eksplozivi. Sipas burimeve nga vendngjarja, shpërthimi nuk ka ndodhur direkt në tokë, por në një lartësi prej 8 metrash, në këmbën e bazamentit të dytë të shtyllës. Shpërthimi ka këputur totalisht këmbën, ndërsa sipas specialistëve, fakti që nuk ka pasur erë të fortë e ka shpëtuar shtyllën nga rrëzimi. Familja e Xhelal Dacit, e cila banon vetëm 50 metër larg shtyllës së shpërthyer me eksploziv, ka kaluar një natë tmerri. Veç shiut të shumtë dhe ftohtit të stinës së mbrëmjes së të hënës kryefamiljari, bashkëshortja e tij dhe tre fëmijët kishin kaluar jashtë banesës pjesën më të madhe të natës. Shkak për të ishte frika nga ndonjë shpërthim tjetër, duke menduar se po përsëritej “Gërdeci”. Sybe Daci, pohoi se në momentin e shpërthimit ndodhej në shtëpi me bashkëshortin dhe tre fëmijët e mitur. “Dëgjuam një shpërthim të madh, i cili zgjati disa sekonda dhe tronditi fort shtëpinë. Menjëherë unë dhe im shoq tentuam të dilnim jashtë duke nxjerrë edhe fëmijët, por gjithçka ishte e kotë. Në atë moment, si pasojë e shpërthimit dyert e banesës nuk hapeshin. Pas përfundimit të zhurmës dolëm jashtë në oborr dhe nuk po arrinim të kuptonim ç’kishte ndodhur. Ishte errësirë totale. Vetëm në mëngjes e morëm vesh nga bashkëfshatarët, që punojnë në një ndërmarrje private këtu pranë, se ishte shpërthyer me eksploziv shtylla që ndodhet afër shtëpisë tonë”, përfundoi Sybe Daci.