E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Opozita po vonon vizat dhe integrimin

PS: Fajtore është mazhoranca

Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, ka kërkuar sërish nga opozita që të kontribuojë në procesin e integrimit, pasi sipas saj bojkoti po e dëmton liberalizimin e vizave. “Mungesa e bashkëpunimit të opozitës nuk e ndihmon procesin. Mungesa e bashkëpunimit është jashtë kohës, është jashtë vendit. Do të bëjmë çdo gjë për të rikuperuar kërcënimin që i është bërë nga bojkoti dhe kërcënimin që i bëhet nga mospjesëmarrja tërësore në të gjitha punimet parlamentare si në komisione, si në aktivitete të tjera të punës së Parlamentit” tha Topalli, duke folur për mediat. Për Kryetaren e Kuvendit ka ardhur momenti për të nisur konsultimet për reformën zgjedhore. Për këtë arsye ajo rilëshoi ftesën për bashkëpunim drejtuar socialistëve. “Kam ftuar, ftoj dhe do të ftoj çdo ditë opozitën, PS, për të qenë bashkëpunëtore në çdo reformë. Kjo është detyra e opozitës. I ftoj të fillojnë konsultimet. Jemi në momentin vendimtar kur komuniteti ndërkombëtar dhe Europa po shikon se sa opozita po bashkëpunon në Parlament për çuarjen përtej të reformave të tjera”, tha Topalli.
Krahas ftesës për bashkëpunim, Jozefina Topalli theksoi gjithashtu se liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda 2010-s.

Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i opozitës, e cila ka fajësuar mazhorancën për vonesën e liberalizimit të vizave. Në një deklaratë për mediat, deputeti Fatmir Toçi theksoi se “përkushtimi ndaj integrimit në BE dhe europianizimit të Shqipërisë qëndron në zemër të kauzës sonë për transparencë e për shpëtimin e demokracisë shqiptare nga ky pushtet, i cili vërtet flet për integrimin, por me çdo veprim të tij na provon qartë se synon thjesht e vetëm uzurpimin e të gjithë hapësirës demokratike në vend. E këshillojmë zonjën Topalli që arsyet për pengesat dhe vonesat në procesin e integrimit t’i kërkojë te ky pushtet që sot ka marrë peng vendin.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›