E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen Suarez, largohet Torres?

Liverpool ka arritur marrëveshje me Ajaxin e Amsterdamit për transferimin e sulmuesit Luis Suarez për 22.8 milionë funte. Por, klubi nga Anfield Road ka frikë nga largimi i yllit Fernando Torres. Një ofertë nga Chelsea u refuzua, sikurse edhe kërkesa për transferim nga reprezentuesi spanjoll. Por, gjithçka nuk përfundon këtu. Nga Express më 30 janar 2011 në ora 12:00

Liverpool është duke u përgatitur për një ofertë të re për Fernando Torresin nga Chelsea, pas refuzimit të kërkesës për transferim nga sulmuesi spanjoll. Ndërsa gjiganti nga Anfield ka arritur marrëveshje me vlerë prej 22.8 milionë funtesh për transferimin e sulmuesit Luis Suarez nga Ajax Amsterdam.

Mbetet të shihet nëse ylli uruguaian do të jetë zëvendësim për Torreson ose nëse plani është që ai të jetë partner i tij.

Suarez ende nuk ka arritur marrëveshje personale me Liverpoolin, por ditë më parë shprehu vendosmërinë e tij të transferohet në Anfield Road, andaj këto bisedime nuk pritet të jenë problematike.

Nga një ardhje te një largim i mundshëm. Klubi nga Anfield tashmë ka refuzuar një ofertë nga Chelsea – që besohet se kishte vlerë prej 35-40 milionë funtesh – për 26 vjeçarin. “Ai ka kontratë afatgjate. Ne presim që ai të respektojë përkushtimin që ka dhënë deri më tani në Liverpool dhe tifozët e klubit. Ai ka paraqitur një kërkesë për transferim, e cila është refuzuar”, thuhet në komunikatën e Liverpoolit.

Torres iu bashkua Liverpoolit më 2007, ndërsa edhe më parë spekulohej me transferim në Chelsea. Gjiganti londinez spekulohej se ishte i interesuar për yllin spanjoll edhe gjatë verës së vitit 2008. Mirëpo, më 3 gusht 2010, Torres konfirmoi besnikërinë e tij ndaj Liverpoolit, pasi i ndihmoi Spanjës të fitonte Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut. Në atë kohë ai tha: “Përkushtimi dhe besnikëria ime ndaj klubit dhe tifozëve është e njëjtë sikurse në ditën e parë kur kam nënshkruar”.

Torres iu bashkua Liverpoolit në korrik 2007 dhe nënshkroi kontratë gjashtëvjeçare, pasi kompletoi transferimin në vlerë prej 20 milionë funtesh nga klubi spanjoll Atletico Madrid.

Ai shënoi tre het-trike në sezonin e tij të parë në Anfield, në total 33 gola në 46 paraqitje. Lëndimet i kufizuan paraqitjet e tij në sezonin përcjellës, por ai arriti të realizojë 17 gola në 38 ndeshje.

Torres përsëri vuajti nga lëndimet dhe u desh të operohej në gju gjatë edicionit 2009-10, edhe pse arriti bilanc të shkëlqyeshëm prej 22 golave në 32 ndeshje. Torres mori medaljen e fituesit në Kampionatin botëror 2010, por dështoi të shënojë gjatë garës në Afrikën e Jugut, ndërsa pësoi një dëmtim në finale dhe u desh të zëvendësohet në minutën e 89-të të fitores 1-0 ndaj Holandës. Deri më tani, gjatë këtij sezoni, ai ka shënuar vetëm nëntë gola në 26 ndeshje.

Torres është dukur i ringjallur pas ardhjes së menaxherit të ri Kenny Dalglish, duke shënuar tri herë në katër ndeshjet e fundit. Liverpooli u ngrit në pozitën e shtatë në Premierligë pas fitores 1-0 ndaj Fulhamit të mërkurën, por e pret një punë mjaft e vështirë për t’u kualifikuar për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pasi Chelsea në pozitën e katërt ka nëntë pikë më tepër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›