E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumfon Juventus, Real gjen "ferrin" në Torino

 

Juventusi ka mposhtur 2-1 Realin e Madridit, duke marrë kryesimin e grupit H, pas 90 minutave spektakli të luajtura mbrëmë në Torino. Madrilenët niseshin si superfavoritë në takimin e djeshëm, duke parë edhe mungesat e shumta në krahun juventin. Por, "Zonja e Vjetër" tregoi edhe njëherë se di të marrë më të mirën ndaj gjigandëve spanjollë. Ashtu ndodhi edhe mbrëmë, me bardhezinjtë që ngjiten në kuotën e 7 pikëve, duke lënë pas kampionët e Spanjës. Juventus e ka nisur ndeshjen menjëherë në sulm, duke gjetur golin që në minutën e pestë me anë të Del Pieros. Kapiteni bardhezi shënoi padyshim golin më të bukur të mbrëmjes së djeshme, duke shtangur Iker Kasijas. Një nisje që ka krijuar panik te Reali, i pafuqishëm për të reaguar. Deri në fund të pjesës së parë, ndeshja dhuron shumë duele në mesfushë, por pak raste për sulmuesit e ekipit spanjollë, që janë kapur disa herë në pozicion jashtë loje. Në fillimin e të dytës, bardhezinjtë shohin sërish drejt portës kundërshtare dhe vetëm pas 4 minutash, Amauri dyfishon shifrat. Goli i Van Nistelroit në minutën e 66-të zgjon ekipin e Shuster, që gjithsesi deri në fund nuk ka arritur të ndryshojë shifrat në favor të tij. Kjo përballje nxorri edhe njëherë në pah forcën e karakterit të Juventusit, një skuadër që edhe pse në krizë përpara ndeshjes së djeshme, tregoi se nuk mund të mposhtet lehtë në shtëpi.
Takimet
Mbrëmja e djeshma ka dhuruar spektakël dhe gola pafund, duke nisur që nga ndeshja e zhvilluar në "Old Traford" mes Mançesterit dhe Sëlltikut. Dy gola të Dimitar Berbatov dhe një i Uejn Runit, i dhanë një tjetër triumf skuadrës së drejtuar nga Aleks Ferguson. Tekniku skocez, ndryshe nga ç'pati thënë përpara kësaj ndeshje, hodhi në fushë që nga minuta e parë Kristiano Ronaldon. Gjithsesi, "Djajtë e Kuq" nuk e patën shumë të vështirë të fitonin përballë një Sëlltiku me mungesa të shumta. Ndërkohë, fitore 5-2 e Arsenalit në Turqi, me një ekip të mbushur me të rinj. Adebajor, Uolkot, Diabi, Billong e Ramsi shënuan për londinezët, ndërsa autogoli i Silvestre dhe goli i Guizës për turqit, ishin thjeshtë për statistikë. Në Bukuresht, Lioni përmbysi gjithçka, duke fituar 5-3 ndaj Steauas vendase, e cila e mbylli në avantazh 3-2 pjesën e parë. Por, Fred dhe Benzema arritën ta bënin të pavlefshëm startin e furishëm të rumunëve. Një fitore të rëndësishme ka arritur edhe Bajerni, që në "Allianz Arena" mposhti 3-0 Fiorentinën. Skuadra italiane vuajti edhe mbrëmë mungesën e eksperiencës në kompeticione të tilla, teksa pësoi dy gola për 25 minuta me Klose e Shvajnstajger.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›