E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trafiku i serbëve, duhet dëmshpërblim nga del Ponte”

Autoritetet në Tiranë dhe Prishtinë kanë hedhur poshtë akuzat e organizatës ndërkombëtare “Human Rights Watch”, mbi ekzistencën e fakteve për rrëmbimin e 300 serbëve në Kosovë dhe transferimin e tyre në Shqipëri.

 Akuzat janë publikuar për herë të parë në librin e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte, e cila i referohet disa burimeve gazetareske, se në malet e Shqipërisë, në Burrel, liderët e UÇK-së kanë dërguar 300 serbë, të cilëve u janë marrë organet për transplant e më pas janë vrarë. Çështja u la në mes nga hetuesit e gjykatës ndërkombëtare, pasi nuk kishte fakte për ta provuar një aludim të tillë. Pas tërheqjes së Hagës, autoritet serbe kanë kërkuar proces gjyqësor kundër Del Pontes mbi heshtjen e saj për këtë çështje. Organizata HRW pretendon se ka fakte të tjera, përveç trillimeve në librin e Del Pontes, se historia është e vërtetë dhe ka kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe ato kosovare një hetim serioz për këtë akuzë. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi thanë se, të dy vendet kanë bashkëpunuar me hetimet ndërkombëtare lidhur me këto spekulime dhe se lidhur me këtë çështje janë bërë hetime të gjera dhe nuk është gjetur asnjë provë për t’i mbështetur ato. Ndërsa ministri i Jashtëm shqiptar Lulzim Basha ka hedhur idenë e një procesi gjyqësor kundër Del Pontes për këto “trillime të rënda dhe amorale”, ministrja kosovare e Drejtësisë kërkon nga Del Ponte dëmshpërblim. “Sipas ligjeve evropiane, shpifjet dhe fyerja nuk paraqesin më vepra penale, por nga Del Ponte mund të kërkohet dëmshpërblim për fyerjet dhe shpifjet që ka bërë”, tha dje Nekibe Kelmendi. Në një intervistë, për REL, ministrja Kelmendi i ka vlerësuar si fabrikime akuzat e del Pontes. “Kombet e Bashkuara, përkatësisht bashkësia ndërkombëtare e Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i kanë zhvilluar hetimet dhe kanë grumbulluar të dhëna edhe gjatë luftimeve që kanë ndodhur në Kosovë, dhe këto të dhëna i kanë grumbulluar në Maqedoni e në Shqipëri. Nuk ka rezultuar se ushtarët e UÇK-së kanë bërë krime, për të cilat zonja Del Ponte i referohet disa gazetave të besueshme të saj”, tha ministrja kosovare e Drejtësisë. “Del Ponte, si kryeprokurore e Hagës, e ka ndryshuar tërësisht profesionin e saj dhe prej një profesionisteje si prokurore, si juriste, ka kaluar të merret me politikë dhe në vend që të bashkëpunojë Serbia me Gjykatën e Hagës, kjo është kthyer të bashkëpunojë me Serbinë”, vlerësoi znj. Kelmendi.

Rajs: Serbia dhe Kosova, dy shtete të ndara
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs ka deklaruar se Serbia dhe Kosova janë dy shtete të ndara duke theksuar se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që këto dy shtete t’i kenë partnerë të mirë. “Pavarësia e Kosovës është fakt të cilin shumë kush e ka pranuar. Do të përpiqemi të ndihmojmë që ky shtet t’ia dalë mbanë edhe me mobilizimin e resurseve dhe përmes donatorëve, por edhe duke kuptuar se tash nuk mund të ndërmerren përpjekje që do ta ndryshonin situatën që ka pasuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Rajs në transkriptimin e botuar në adresën e Departamentit amerikan të Shtetit.

ISG, më 7 dhe 22 maj në Prishtinë
Grupi Drejtues për Kosovën (International Steering Group) do të mblidhet në Prishtinë më 7 dhe 22 maj, sipas gazetës prishtinase “Zëri”, referuar burimeve diplomatike. Takimi i parë i ISG zhvillohet sot në Prishtinë do të mbledhë diplomatë në krye të ambasadës apo zyrave të shteteve anëtare të Grupit Drejtues për Kosovën. Në takim pritet të diskutohet gjendja e tanishme në Kosovë dhe zhvillimet prej 17 prillit, duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare dhe lokale të Serbisë. Takimi i dytë do të drejtohet nga Peter Feith dhe pritet të mbledhë në Prishtinë përfaqësuesit e ministrive të Jashtme të shteteve anëtare të grupit, duke shqyrtuar çfarë pasojash do të kenë pasur për Kosovën zgjedhjet serbe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›