Vilat në bregdet, ALUIZNI, AKKP dhe hipoteka nisin verifikimet
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për bashkërendimin e punës mes tri institucioneve të pronave, ALUIZNIT, hipotekës dhe AKKP-së për verifikimin e pronësisë së vilave në bregdet. Referuar ligjit për "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", vendimi përcakton në pikën 1 që ALUIZNI bën verifikimin në terren të njësive të ndërtuara, menjëherë pas paraqitjes së kërkesës dhe pas kryerjes së parapagesës së tarifës nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar. Në pikën 2 thuhet se "ALUIZNI, për verifikimin e gjendjes juridike të pronës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i verifikimit në terren i njësisë ndërtimore, kërkon nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) informacion për gjendjen juridike të zonës së stimuluar, të shoqëruar me kopjen e dokumentacionit që disponohet (kartelë apo regjistër hipotekor, hartë treguese të pasurisë, dokumentacioni ligjor i regjistrimit të pasurive dhe i transaksioneve të mundshme)". Nëse ZVRPP-ja konfirmon se zona e stimuluar është pronë shtetërore, ALUIZNI bashkërendon punën edhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) për të evidentuar, kur është e mundur, nëse ka vendime të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronës, pranë bashkive ose këshillave të qarkut, ose të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, për njohje, kthim ose kompensim të pronës apo kërkesa në proces shqyrtimi, të depozituara nga subjekte të cilat pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi zonën e stimuluar. Kërkesa për marrjen e informacionit i dërgohet AKKP-së, pas përfundimit të afatit të parashikuar në ligj, për paraqitjen e kërkesave nga subjektet e interesuara apo personat e stimuluar. Institucionet e dërgojnë informacionin pranë ALUIZNI-t brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, i cili më pas harton edhe relacionin shpjegues për pronësinë e tokës.