E Shtunë, 31 Tetor 2026

Troket Videofesti 2011

Nga Ardian Jasiqi më 05 maj 2011 në ora 09:36

Edicioni IX i “Videofestit muzikor” është duke u afruar, përderisa organizatorë të këtij evenimenti kanë thënë për Express se edhe gjatë këtij viti pritet që yjet e Kosovës së paku për një natë të ndihen si të këtillë.

Organizatori i këtij evenimenti, ashtu sikurse edhe viteve të tjera, Erolld Belegu, tha se sikurse viteve të tjera, festivali do të mbahet më datën 16 maj, datë kjo në të cilën ishte mbajtur edhe vitin e kaluar.

“Florent Boshnjaku është duke u përkujdesur për pjesën artistike dhe është në përfundim të saj, dhe mendoj se do të ketë gjëra interesante që do të ofrohen për publikun kosovar”.
Edhe këtë vit, kjo ngjarje është organizuar nga Instituti për Kulturë dhe Sport “INKUS”, ndërkaq transmetimin e festivalit do ta bëjë këngëtarja Yllka Kuqi dhe vokalisti i grupit “Kthjellu”, Mentor Haziri, të cilët janë edhe nikoqirë të ceremonisë.

Kurse interesimi për të marrë pjesë në këtë eveniment është i madh.

“Kemi rreth 150 klipe. Kemi shumë produksione që marrin pjesë e që në këtë rast kanë bërë edhe realizime të mira, përderisa juria do të bëjë identifikimin e nominimeve”.

Përpos çmimeve që jepen me “bollëk”, në këtë festival pritet që të jepen edhe çmimet për videoklipin më të pëlqyer në Facebook.com dhe klipin më të shikuar në Youtube.

Ndërkaq, nominimet nuk do të ndryshojnë. Do të ketë 16 nominime, edhe pse pritet që të ketë ndryshime, ndërkaq shumica e shpërblimeve do të fokusohen në disponimin e publikut për këngët. Vitin e kaluar edicionin e Videofestit muzikor e fitoi Dafina Zeqiri me këngën “Amazing Girl”.

Ceremonia

Emrat e fituesve shpallen në ceremonialin e ndarjes së shpërblimeve që çdo vit mbahet në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Në mbrëmje paraqiten fytyra të njohura nga të gjitha sferat e artit, sportit e politika, të cilët defilojnë nëpër skenë duke e bërë mbrëmjen edhe më glamuroze. Programi i ceremonisë finale është më se artistik dhe i veçantë.

Kjo mbrëmje është e rezervuar për yje, sponsorët e manifestimit sikurse edhe për fytyra eminente nga Kosova dhe mbarë trojet shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›