E Diel, 1 Nëntor 2026

Troket kriza, frenohen eksportet dhe importi

06/01/2009  INSTAT: Në nëntor u importuan 38,892 milionë lekë mallra me ulje 8.6 për qind

Shqiptarët “frenojnë” shpenzimet. Goditjet e krizës ekonomike janë ndjerë me uljen e ritmit të blerjeve për konsumatorët. Veç konstatimeve të përditshme në tregjet e shitjes me pakicë, janë edhe shifrat e fundit të Institutit të Statistikave që konfirmojnë rënien. Që prej muajit nëntor të vitit që lamë pas është shënuar ulje në importin e mallrave, por edhe në ritmin e eksporteve shqiptare drejt tregjeve të huaja. Arsyet kryesore janë frika dhe mungesa e sigurisë ekonomike që kanë sjellë në një reflektim me rënie të dukshme të fuqisë blerëse.

Tregtia

Muajt e fundit të vitit rezulton të jenë kryer më pak shkëmbime tregtare. Kështu, sipas institutit të statistikave në muajin nëntor u eksportuan 9,092 milionë lekë mallra, me ulje 5 për qind në krahasim me muajin tetor të 2008-s. Kjo shifër është 0.4 për qind më e ulët edhe në krahasim me muajin nëntor të vitit 2007. Edhe importet kanë shënuar shifra në rënie. “U importuan 38,892 milionë lekë mallra me ulje 8.6 për qind në krahasim me muajin tetor 2008”, theksuan ekspertët e INSTAT-it. Gjithsesi kjo shifër është në rritje me 5.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Ulje kanë shënuar edhe mallrat e akcizës. “Në muajin nëntor 2008, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3.857 milionë lekë, duke zënë 9.9 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me tetorin e 2008, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 18.9 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës me 66 për qind”, theksojnë ekspertët e INSTAT-it. Gjatë 11 muajve të vitit 2008 importet e mallrave kapën shifrën e mbi 395 miliardë lekë dhe eksportet shifrën e 105,42 miliardë lekë. Ndërsa një vit më parë këto shifra ishin 341,528 miliardë lekë dhe 90,503 miliardë lekë. Sipas të njëjtit burim, volumi më i madh i shkëmbimeve tregtare është kryer me vendet e BE-së, përkatësisht importet në shifrën e 239,931 miliardë lekë dhe eksportet në 83,405 miliardë lekë. Ndërsa një vit më parë, me vendet e BE-së importi ishte 202,670 miliardë lekë dhe eksporti në 74,999 miliardë lekë.

Deficiti

Kjo rënie ka sjellë një ulje të hendekut mes importeve dhe eksporteve. “Deficiti tregtar i këtij muaji është 29,800 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 9.6 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 7.9 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007”, thanë ekspertët e INSTAT-it. Sipas tyre, tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 66.5 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë të vendit vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. “Me Italinë eksporti është 60.7 për qind dhe importi 30.9 për qind, kurse me Greqinë eksporti është 7 për qind dhe importi 13.2 për qind”, thuhet në analizën e të dhënave. Por shifrat e eksporteve duken optimiste për disa vende të tjera evropiane. Ekspertët e Institutit të Statistikave theksojnë se disa nga partnerët tregtarë me të cilët është rritur eksporti janë Britania e Madhe, Franca, Holanda, Turqia, Zvicra. Ndërsa sa i përket importit më shumë mallra vijojë të vijnë në Shqipëri nga vende si Italia, SHBA-ja, Turqia, Ukraina, Zvicra.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›