E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH, grupe kontrolli në terren për situatën emergjente

06/01/2009  Mbulimi i komunave të largëta me shërbimet shëndetësore

Grupe të posaçme urgjence janë ngritur në të gjitha zonat që ndodhen të izoluara për shkak të reshjeve të shumta të dëborës që ka rënë gjatë këtyre ditëve. Këto të fundit do të ndihmojnë veçanërisht në mbulimin e këtyre zonave me shërbimet e duhura mjekësore. “Për të pasur nën kontroll situatën shëndetësore për shkak të vështirësive të krijuara nga moti i keq që ka përfshirë zonat e thella të vendit, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka nisur grupe kontrolli në disa zona të thella për të verifikuar gjendjen. Nga të dhënat e deritanishme në terren rezulton se gjendja e qendrave shëndetësore për sa i takon furnizimit me medikamente është e kënaqshme dhe mbulimi i zonave të thella me mjekë është zgjidhur me vënien në dispozicion të mjekëve të komunës më të afërt”, - pohohet nga burimet zyrtare të ISKSH-së. Konkretisht grupet e kontrollit janë dërguar në komunat e Shkodrës, Dibrës, Tropojës për të parë nga afër nevojat e qendrave shëndetësore për shkak të situatës emergjente që ka sjellë moti i keq. Këto janë dhe zonat që grupet e kontrollit do të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme, për shkak se situata në to gjatë dy ditëve të fundit ka ardhur duke u rënduar gjithnjë e më shumë. Ndërsa mësimi në shkolla është ndërprerë të paktën për tri ditët e ardhshme. Për përballimin e dhe mosrëndimin më tej të gjendjes është ngritur tashmë një shtab emergjence nga qeveria.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›